KQZ me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset zgjedhore
Lajme
Lexohet për: 2 min.
KQZ me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset zgjedhore
1 orë më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se përfshirja aktive e grave në politikë dhe zgjedhje është element kyç për ndërtimin e një shoqërie demokratike.

Në këtë frymë, KQZ me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, zhvilloi 10 tryeza tematike që theksuan rëndësinë e barazisë gjinore në proceset zgjedhore.

“Tryezat, që u mbajtën në komuna të ndryshme të Kosovës, ishin pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025. Diskutimet në këto dhjetë tryeza patën për qëllim promovimin e rolit dhe përfshirjes së grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse, duke vënë theksin tek rëndësia e angazhimit të tyre aktiv që zëri dhe nevojat e grave dhe vajzave të reflektohen si në politikat lokale, ashtu edhe në ato qendrore”, thuhet në njoftim.

Duke folur për rëndësinë e kësaj nisme, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se barazia gjinore në proceset zgjedhore nuk është vetëm domosdoshmëri demokratike, por edhe mundësi për të fuqizuar zërin e grave në çdo aspekt të jetës publike dhe vendimmarrjes.

Ai u shpreh se përmes këtyre tryezave, është synuar të dërgohet mesazh për ndryshime të prekshme në përfaqësimin e grave në zgjedhje dhe politikë.

“Gjatë këtyre tryezave, përfaqësues të KQZ-së, të nivelit lokal, shoqërisë civile dhe medias diskutuan mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje, si një hap i domosdoshëm drejt avancimit të barazisë gjinore dhe demokratizimit të shoqërisë. Gjithashtu, është diskutuar edhe se si përfshirja e grave në zgjedhje ndikon në krijimin e një mjedisi më të barabartë politik dhe fuqizimin e pozitës së tyre në vendimmarrje”, përfundon njoftimi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024