KQZ dënon Nismën Socialdemokrate, kufizon shpenzimet e fushatës zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin për gjobitjen e Nismës Socialdemokrate me 350 euro. Kjo pasi që e njëjta parti nuk e lajmëruar KQZ-në për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor. Në mbledhjen e sotme po ashtu është marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve për subjekteve politike për fushatën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, Yll Buleshkaj ka bërë të ditur që kufizimi i sipërm i shpenzimeve është në shumën mbi 950 mijë euro.

“Zyra e ka përgatitur një llogaritje që përbën 50 cent shërbime për votues, për komunat të cilat i kanë më shumë se 5 mijë votues. Ndërsa, 70 cent për ato që i kanë më pak. Si total shpenzimet e aprovuara do të jenë 950 mijë e 633 euro e 40 cent për ato subjekte politike që garojnë në gjithë Kosovën. Për shkak që do të kemi subjekte politike që do të garojnë në vetëm një komunë, apo më shumë se një komunë por jo në gjithat, atëherë e keni të bashkangjitur edhe tabelën e cila cek shumën e lejuar për secilën komunë. Nëse një subjekt politik garon në vetëm një komunë, në Junik, atëherë do të ketë 2733 e 50 cent të lejuara”, ka thënë Buleshkaj. 

Më tej, Buleshkaj ka bërë të ditur vendimin për ta gjobitur me 350 euro Nismën, pasi ky subjekt politik nuk e ka lajmëruar KQZ-në, për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.

“Fillimisht ka qenë e rekomanduar pezullimi i subjektit politik, por gjatë ditës së djeshme e kemi pranuar dokumentacionin. Kështu që sipas ligjit nuk kemi pasur që të marrim masë tjetër, por duhet të marrim masën e shqiptimit të gjobës, sepse dokumentacioni është vonuar më shumë se 15 ditë. Shuma e cila sipas nenit 12.1 për këto masa është 350 euro gjobë për subjektin politik, që nuk është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Duke marrë parasysh që Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur të futet në kuvend”, tha ai.


Megjithatë, për këtë kanë diskutuar anëtarët e KQZ-së, meqë në rekomandimin e vjetër përmendet pezullimi i partisë, e jo gjobitja. Për këtë është kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të përmirësohet ky gabim dhe të votohet për gjobitjen prej 350 euro të Nismës Socialdemokrate. Por, që më pas është miratuar ky vendim.

Po ashtu, në mbledhjes e së shtunës është diskutuar edhe për zgjatjen e orarit të punës për zgjedhje lokale. Një gjë të tillë nuk e ka përkrahur anëtari i KQZ-së nga LVV, Sami Kurteshi.

“Unë nuk shoh arsyeje këtë të bëjmë, sepse në planin operacional të gjitha afatet janë caktuar brenda orarit të punës, deri në orën 16:00. Nuk kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, kemi zgjedhje të zakonshme. Nuk ka nevojë kjo shtesë , absolutisht… Unë jam kundër për zgjatje paushallë, ne e kemi pasur edhe herën e kaluar, por edhe herën e kaluar nuk e kemi pranuar. Megjithatë, ateherë ka qenë zgjedhje të jashtëzakonshme kur nuk mund të caktohet koha, periudha e veprimeve. Por tash në masë të madhe varet prej nesh”, u shpreh ai.

Me këtë nuk është pajtuar as anëtari tjetër nga LVV, Alim Rama. Mirëpo, një gjë të tillë e ka përkrahur anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi.

“Natyra e punës këtu nuk ndërlidhet me dy-tri afate të cilat janë të parapara me planin operacional. Por, vëllimi i punës është jashtëzakonisht i madh dhe dimë edhe nga e kaluara që sekretariati apo zyrtarët angazhohen edhe përtej orarit të punës, ditëve të vikendit apo ditëve të tjera. Prandaj, unë konsideroj që fillimisht me dëgjuar arsyetimin e tyre e pastaj nëse është e nevojshme me përligj zgjatjen apo detyrimin e stafit tonë që të punojnë më shumë se 40 orë. Sepse përndryshe atëherë do të kemi probleme të natyrave të tjera”, ka theksuar Dushi.

Për këtë ka kërkuar sqarime kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili më pas tha se duhet të merret një vendim për zgjatjen e orarit.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: