KQZ certifikon 2 subjektet e para për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, paralajmërohet formimi i një partie të re

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 2 subjektet e para për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të këtij viti. Iniciativës Qytetare “Lista Guxo” i është mundësuar gara për zgjedhjet për Kuvend komunal në Ferizaj. Ndërsa, Iniciativa tjetër “Bashkë për Istogun” është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar dhe kuvend komunal në Istog. Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të KQZ-së, u paralajmërua edhe formimi i një partie të  re politike. Derisa u bë e ditur se deri tani janë aprovuar 1208 aplikacione për regjistrim nga jashtë vendit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj tha se këto dy iniciativa qytetare i kanë plotësuar të gjitha kushtet për certifikim.

“Këto iniciativa i kanë plotësuar të gjitha kushtet. Do të thotë s’kanë pasur gjoba nga PZAP apo KQZ pasi janë iniciativa të reja, nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje. I kanë plotësuar të gjitha formularët, nënshkrimet, e po ashtu e kanë paguar edhe taksën. Përveç kësaj e kanë dorëzuar edhe deklaratën e tyre politike që nuk ka pasur kundërshtim me legjislacionin”, tha ai.

Krahas kësaj, ai njoftoi se janë duke shqyrtuar një aplikacion për regjistrimin e një partie politike me emrin “Forca e Diasporës”.

“Kemi pranuar një aplikacion për regjistrimin e një partie të re politike, e cila ka aplikuar me emrin “Forca e Diasporës”. Si udhëheqës e ka zotëri Mehmet Manolli. Ne jemi në shqyrtim të aplikacionit”, shtoi Buleshkaj.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur edhe numri i aprovimit të votuesve nga jashtë vendit, ku sipas kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj interesim më të madh për tu regjistruar si votues janë nga shteti i Gjermanisë.


“Deri më tani kemi 1295 aplikacione për tu regjistruar të cilat janë pranuar përmes e-mailit. Nga këto, prej tyre 1208 e aplikacione janë aprovuar sepse kanë plotësuar kriteret juridike për tu përfshirë në listën e votuesve jashtë vendit. Krahas kësaj KQZ iu ka dërguar edhe njoftimin se kërkesat e tyre janë aprovuar”, tha ai.

Anëtarët e KQZ-së debatuan edhe për thjeshtësimin e votimit të diasporës në zgjedhjet lokale.

Anëtari i LDK-së, Florian Dushi kërkoi që të thjeshtësohet procesi për pranimin e regjistrimit të mërgatës për votim në zgjedhjet lokale, pasi sipas tij shoqëria ka mbërritur deri në nivelin që nuk do të cenohet integriteti zgjedhor.

“Me thjeshtësohet procesin sepse niveli jonë, shoqëria jonë ka mbërri deri në atë nivel që nuk do të ndërmerrte veprime të tilla që e cenojnë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.

Pro kësaj u shpreh edhe anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

“Ky është veprim  teknik, përdorimi i emailit ka marrë forcë ligjore këto vitet e fundit[…]nuk kemi të bëjmë dhe dhënien e të drejtës së votës, apo mos dhëniet e pasi atyre ne iu kërkojmë të mbushin disa formuluar dhe dokumente që realisht nuk do të duhej me qenë”, tha ai.

Mbledhjen e sotme e kryesoi Alim Rama në mungesë të kryetarit Kreshnik Radoniqi.

Lexo edhe

Video

error: