KQZ: Afër 2 milionë e 76 mijë votues për zgjedhjet e 9 shkurtit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Numri i përgjithshëm i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, është mbi 2 milionë e 75 mijë. Ndërkaq, numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovës është afro 105 mijë votues. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e radhës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani tha se lista përfundimtare e votuesve nuk është tërësisht e pastër për shkak se qytetarët nuk i kanë lajmëruar në organet kompetente personat që kanë vdekur.
“Kemi evidentuar rastet të cilat kanë qenë të përfshirë në listën votuese, por që kanë një moshë shumë të shtyer, në raste 115 vjet e të tjerë apo 120 vjet, të cilat as Agjencioni Statistikave të Kosovës, por as Ministria e Financave nuk i ka në databazat e tyre, por ata figurojnë në listën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky numër i votuesve që është prej 2 milionë e 75 mijë e 868 votuesve si listë përfundimtare. Nuk është një listë tërësisht e pastër, për faktin që figurojnë ende personat e vdekur në këto lista, për shkak se qytetarët nuk ia kanë njoftuar organet kompetente...Ndryshe nga çdo palë zgjedhje tjetër që është mbajtur më parë, në këto zgjedhje lista e votuesve është krijuar me dy data baza...Ndërsa, numri i personave që janë regjistruar për votim jashtë Kosovë është 104 mijë e 924 votues, prej të cilëve 84 mijë e 525 kanë zgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 399 votues kanë zgjedhur mënyrën e votimit fizik në përfaqësi diplomatike. Në dallim prej zgjedhjeve të fundit lokale të 17 dhjetorit është 174 mijë e 888 votues më shumë”, tha Elshani.
Po ashtu, në këtë mbledhje u miratua edhe rekomandimi për caktimin e numrit maksimal të votuesve në vendvotime, për çka u vendos që për vendvotime në zonat rurale numri i votuesve të jetë 999 votues. Ndërkaq, në zonat urbane maksimalisht 950 votues.
Përveç tjerash, Elshani bëri të ditur se për shkak të numrit të vogël të aplikantëve për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, Ambasadat në Podgoricë dhe Tiranë nuk do të jenë të hapura për votim.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi shprehu shqetësimin për numrin e madh të votuesve në Cyrih, Duseldorf, Munih dhe Shtutgart, për çka tha se duhet bërë gjetja e hapësirave alternative ose të inkurajohen votuesit atje që të votojnë me postë.
Në këtë mbledhje të KQZ-së u mor vendim që për shkak të renovimeve, qendra e votimit në Vitomiricë të Pejës që ishte në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “7 shatori”, të zhvendoset në Shkollën e Mesme Ekonomike “Ali Hadri”. Numri i votuesve në këtë qendër është mbi 10 mijë.
Ndër të tjera, në KQZ u miratua me 11 vota për rekomandimi për decertifikimin e kandidatit të subjektit politik Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, Agim Elezi.
Kryesuesi i mbledhjes së KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur miratimin e këtij rekomandimi.
Në këtë mbledhje u tha se për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë janë gjithsej 903 qendra të votimit, 2 mije e 533 vendvotime. 56 vendvotime me kusht dhe 38 qendra të votimit me kusht.