Kovaçevski e Mickoski pa marrëveshje për propozimin francez

Kovaçevski e Mickoski pa marrëveshje për propozimin francez

Nisur nga deklaratat pas takimit të parë të sotëm të dy liderëve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski dhe Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE opozitare, nuk arritën marrëveshje për propozimin francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në.

Pas takimit, Kovaçevski u tha gazetarëve se propozimi francez është një moment historik për Maqedoninë e Veriut, sikurse Marrëveshja e Ohrit dhe Prespës, ndërsa Mickoski kërkon nga qeveria që ta refuzojë këtë propozim, sepse, siç pretendon ai, nuk siguron të ardhmen evropiane të vendit, por asimilimin dhe bullgarizimin e qytetarëve maqedonas.

Mickoski tha se ka kërkuar nga kryeministri që të largohen katër anëtarë nga propozimi për të mbrojtur interesin kombëtar të Maqedonisë dhe se vetëm atëherë do të mund të diskutohet sërish.

Kovaçevski, siç raportojnë mediat e Shkupit, tha se propozimi evropian qartë dhe pa mëdyshje i përcakton qëndrimet për pranimin e gjuhës maqedonase.

“Kjo ishte çështja më e rëndësishme për ne dhe prandaj dua të jem i qartë. Gjuha maqedonase është absolutisht e barabartë me gjuhët e tjera të BE-së pa asnjë fusnotë, yll apo shpjegim”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski theksoi se propozimi nuk përfshin çështje dypalëshe dhe historike me Bullgarinë.


“Ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe funksionalizimin e vendimit të Këshillit Evropian nga marsi i vitit 2020. Ne do të mund të fillojmë negociatat me BE-në menjëherë pasi të marrim vendimin për ta pranuar propozimin. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë rreth kësaj çështjeje. Është e lehtë të refuzosh, të shtysh, të zgjedhësh një pasiguri të re. Por në këtë moment historik duhet të menduarit racional me kokë të ftohtë, duhet mençuri dhe përgjegjësi dhe një analizë objektive e të gjithë skenarëve, duke pasur parasysh të ardhmen e fëmijëve tanë. Nga kjo çështje nuk duhet të bëjmë politikë ditore. Kjo është një çështje historikisht e rëndësishme dhe strategjike që çdo politikan dhe qytetar duhet t’i qaset shumë seriozisht”, tha Kovaçevski.

Kryeministri vlerësoi se ishte një moment historik për Maqedoninë e Veriut dhe e krahasoi me shpalljen e pavarësisë së saj, me marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës.

“Ne kemi një mundësi unike për të përmbushur qëllimin tonë strategjik të shumëpritur – anëtarësimin e plotë në BE. Ky është vizioni ynë dhe kjo është e ardhmja jonë. Ne kemi një mundësi unike për të siguruar prosperitetin e vendit sepse ia kemi borxh brezave të ardhshëm. Është koha për vendime të mençura”, tha Kovaçevski.

Mickoski, megjithatë, u tha gazetarëve se VMRO-DPMNE-ja e tij nuk do të pranojë propozimin francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në.

“I kam sugjeruar Kovaçevskit që ta refuzojë këtë propozim dhe do të heq dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Do të investojmë të gjitha kapacitetet e VMRO-DMPNE-së për ta ndihmuar qeverinë në tejkalimin e sfidave që do të shfaqen para nesh këtë dimër”, tha Mickoski.

Ai thotë se propozimi francez nuk është i pranueshëm si kornizë negociuese që siguron të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

“Kjo është korniza negociuese me të cilën asimilohemi dhe bullgarizojmë dhe si të tillë do të jemi pjesë e BE-së ose nuk do të jemi kurrë pjesë e BE-së”, tha Mickoski.

Lexo edhe

Video