Kostilnik: Arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi është urgjente

Kostilnik: Arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi është urgjente

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës Sllovake në Prishtinë, Rastislav Kostilnik ka deklaruar se arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi është urgjente, pasi status quo-ja, nuk është e qëndrueshme dhe nuk i shërben as Serbisë e as Kosovës.

Kostilnik në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se për shtetin e tij, çdo marrëveshje për të cilën bien dakord Kosova dhe Serbia, duke përjashtuar shkëmbimin territorial, por që përfshinë njohjen reciproke, është e pranueshme.

Ai është shprehur se sheh hapësirë për bashkëpunim të Kosovës dhe Sllovakisë në shumë fusha dhe se qëndrimi i Sllovakisë për statusin e Kosovës, nuk është pengesë për bashkëpunimin kulturor dhe ekonomik.

E derisa flet për bashkëpunimin ekonomik, thotë se rregullisht i inkurajojnë  sipërmarrësit nga Kosova që të kontaktojnë me homologët sllovakë.

“Fatkeqësisht, diplomacia mund të luajë vetëm një rol të kufizuar kur bëhet fjalë për biznesin dhe për fat të keq, nuk shoh shumë interes këtu për të krijuar më shumë lidhje me përfaqësuesit e biznesit sllovak”, thotë ai, duke shtuar se sllovakët janë të interesuar për Kosovën më shumë se në të kaluarën, pasi ka shenja të qarta të eksplorimit të natyrës së bukur të Kosovës nga sllovakët.

Kjo është intervista e plotë:

KosovaPess:Si do t’i përkufizonit marrëdhëniet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë? A janë të shkëlqyera, të mira, apo duhet të punohet më shumë për të përmirësuar këto marrëdhënie? Si i keni raportet me krerët shtetërorë të Kosovës?

Kostilnik: Unë do të thoja se kemi marrëdhënie të mira brenda kufijve të saj. Për sa i përket marrëdhënieve me liderët politikë, jam i lumtur të them se kam marrëdhënie shumë të mira dhe nuk jam vetëm unë. Edhe ministri im, z. Ivan Korçok, takohet me përfaqësuesit e Kosovës. Pak kohë më parë, në muajin prill, ai mori pjesë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, në të njëjtin panel në kuadër të Forumit Ekonomik Delphi dhe këtë muaj zhvilloi takimin dypalësh me kryeministrin, Albin Kurti, në Bratislavë.

KosovaPess: Sllovakia është shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por i njeh dokumentet e saj. Kur mund të presim që vendi juaj ta njohë pavarësinë e Kosovës?

Kostilnik: Në përgjithësi, ne nuk kemi ardhur ende aty dhe duhet t’iu korrigjoj këtu, ne nuk i njohim dokumentet e Kosovës. Ato ende duhet të miratohen nga administrata e përkohshme – UNMIK-u. Megjithatë, në aspektin humanitar, që nga viti 2012, ne i njohim pasaportat e Kosovës si dokument udhëtimi, duke përjashtuar pasaportat diplomatike apo të shërbimit për arsyet e dukshme. Më lejoni të theksoj këtu se njohja e një dokumenti udhëtimi sipas të Drejtës Ndërkombëtare nuk do të thotë njohje e subjektit që e ka lëshuar atë.

KosovaPess: A është njohja nga Sllovakia peng i dialogut? Pra, a duhet të ketë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës para se të mendoni për njohjen e pavarësisë së Kosovës?

Kostilnik: Qëndrimi ynë është mjaft konsistent dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka vend për asnjë lloj konfuzioni dhe fjala “peng” nuk është fjala e duhura këtu. Ekzekutivi sllovak është i lidhur me deklaratën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sllovake (2007), e cila përcakton se duhet gjetur një zgjidhje e përbashkët (e dy palëve). Dialogu Beograd-Prishtinë është mjeti për një zgjidhje të tillë dhe për këtë arsye ne i mbështesim shumë përpjekjet e Lajcak.

KosovaPess: Një qytetar i juaji është në krye të dialogut, zoti Lajçak. Ai flet kryesisht në emër të BE-së. Por si e vlerëson Sllovakia procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Kostilnik: Dialogu Beograd-Prishtinë është procesi i gjetjes së zgjidhjes bazuar në marrëveshjen, e cila legalisht do të krijonte shtetësinë e Kosovës me pëlqimin e dy palëve, ashtu siç u pavarësua Sllovakia në vitin 1993.

KosovaPess: A duhet të kishte pasur më shumë përparim pas kaq shumë vitesh negociatash? A mendoni se duhet të ketë një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke?

Kostilnik: Në thelb, shpejtësia dhe përparimi i negociatave të lehtësuara nga BE-ja varet vetëm nga konstruktiviteti i dy palëve në tryezë. Lufta ruse e agresionit në Ukrainë po e bën përparimin edhe më të fuqishëm – Evropa ka nevojë për më shumë paqe dhe sytë janë te ju dhe Serbia për t’ia dalur. Arritja e kësaj marrëveshjeje është urgjente, pasi status quo-ja thjesht nuk është e qëndrueshme. Nuk i shërben Serbisë e as Kosovës. Për ne, çdo gjë për të cilën bien dakord dy palët, duke përjashtuar shkëmbimin territorial, por që përfshinë njohjen reciproke, është e pranueshme.

KosovaPess: A mendoni se rajoni ynë është i rrezikuar nga destabilizimi pas situatës në Ukrainë? A shihni ndonjë mundësi që, Zoti na ruajt, të ketë ndonjë rishfaqje konflikti?


Kostilnik: Ne e monitorojmë situatën e sigurisë nga afër dhe pajtohemi me vlerësimin e KFOR-it sipas të cilit situata është stabile.

KosovaPess: Serbia është i vetmi vend që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë. Si e keni parë këtë veprim të Serbisë? A duhet të sillet një vend kandidat për në BE në përputhje me BE-në?

Kostilnik: Qëndrimi juaj i qartë ndaj agresionit rus ka gjeneruar shumë vlerësim midis shteteve anëtare. Ne besojmë se partnerët tanë në Beograd e kuptojnë ndjenjën e urgjencës për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane.

KosovaPess: Kemi parë që ju vizitoni komunat në Kosovë dhe takoheni me kryetarët e këtyre komunave. Cili është qëllimi i këtyre vizitave?

Kostilnik: Për çdo diplomat është e rëndësishme të kontaktojë dhe të ketë kontakt me njerëzit dhe përfaqësuesit e tyre. Unë jam i interesuar për mendimet e tyre për çështjet e “jetës së përditshme” dhe gjithmonë shfrytëzoj rastin për të shpjeguar mekanizmat e SlovakAid, për t’i inkurajuar ata të paraqesin propozime për grante. Tash e sa vite ne mbështesim zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës nëpërmjet SllovakAid – ndihmën e popullit sllovak.

KosovaPess: Gjatë pandemisë, sidomos gjatë atyre muajve të vështirë, pamë se Sllovakia e ndihmoi Kosovën. A mund të na thoni, sa e ka ndihmuar vendi juaj vendin tonë, në përballimin e virusit dhe në çfarë formash?

Kostilnik: Të gjithë jemi kapur papritur në kafazin e COVID-19. Pavarësisht situatës brenda, Sllovakia u përpoq të bënte maksimumin për t’i dhënë një ndihmë edhe atyre që jetojnë jashtë kufijve tanë. Në ndihmë direkte dhe indirekte, ne i ofrojmë Kosovës asistencën deri në 60 000 euro. Ne kemi mbështetur shumë projekte të dizajnuara për të nxitur ndërgjegjësimin për COVID-19 si dhe për të lehtësuar pasojat e tij te grupet e margjinalizuara. Sllovakia gjithashtu dhuroi 30 000 euro për Ministrinë e Shëndetësisë për të forcuar kapacitetet e saj për të luftuar pandeminë.

KosovaPess: Falë ndërmjetësimit tuaj janë hapur ekspozita dhe janë mbajtur koncerte. A mund të rritet bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Sllovakisë? Në mënyrë që artistët tanë të njihen me ju dhe anasjelltas?

Kostilnik: Unë shoh hapësirë për bashkëpunim të ndërsjellë në shumë fusha. Qëndrimi i Sllovakisë për statusin e Kosovës nuk është pengesë për bashkëpunimin kulturor dhe ekonomik; bashkëpunimi i universiteteve, bashkive, etj. Unë them se duhet të ecim përpara se të vrapojmë. Këto fusha mund të shërbejnë si një mjet për të njohur njëri-tjetrin. Jam i lumtur që luaj një rol ndërmjetësues, por dëshiroj të shoh një interes të vërtetë në një bashkëpunim të tillë.

KosovaPess: Ekonomia është një tjetër fushë shumë e rëndësishme. Çfarë aktivitetesh po ndërmerr aktualisht Zyra juaj për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në Kosovë? A ka aktivitete për ndërmjetësimin e takimeve ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe Sllovaki?

Kostilnik: Zyra Ndërlidhëse Sllovake ka krijuar një lidhje shumë të mirë me shumë biznese dhe shoqata ekonomike. Ne inkurajojmë rregullisht sipërmarrësit nga Kosova që të kontaktojnë me homologët sllovakë. Fatkeqësisht, diplomacia mund të luajë vetëm një rol të kufizuar kur bëhet fjalë për biznesin. Duhen dy për tango dhe për fat të keq, nuk shoh shumë interes këtu për të krijuar më shumë lidhje me përfaqësuesit e biznesit sllovak.

KosovaPess: Turizmi është prezantuar edhe përmes ekspozitave. A ka ndonjë shifër për numrin e kosovarëve që vizitojnë Sllovakinë?

Kostilnik: Meqenëse është e vështirë të bëhet dallimi midis personit turist dhe atij transitor, meqë shpesh herë ka kombinim, një numër i tillë nuk ekziston. Megjithatë, ne vlerësojmë se janë disa qindra kosovarë që vizitojnë Sllovakinë çdo vit.

12. A e njohin sllovakët Kosovën si vend? A vijnë këtu për vizita, nëse ka ndonjë shifër, sa sllovakë vijnë në Kosovë çdo vit?

Përsëri, ne nuk kemi asnjë statistikë dhe është e vështirë të bëjmë një vlerësim. Megjithatë, unë mund të konfirmoj një trend pozitiv. Sllovakët janë të interesuar për Kosovën më shumë se në të kaluarën; ka shenja të qarta të eksplorimit të natyrës së bukur të Kosovës nga sllovakët.

13. Në fund. Sa është numri i aplikimeve për vizë pune në zyrën tuaj? Dhe sa viza lëshohen në vit për kosovarët që duan të punojnë në Sllovaki? A ka pasur kërkesë në rritje vitin e fundit? A ka statistika për 5 muajt e parë të këtij viti?

Para se të flasim për numra, duhet theksuar se Zyra Ndërlidhëse Sllovake është një zyrë e vogël me kapacitet të kufizuar në krahasim me anëtarët e tjerë të Shengenit. Në masë shumë më të vogël se vendet e tjera, por ne vërejmë interesim të kosovarëve për të punuar në Sllovaki.

Si rezultat i pandemisë gjatë dy viteve të fundit, ka pasur një rënie të ndjeshme të numrit të aplikimeve, si për aplikime për viza Shengen, ashtu edhe për viza pune. Shifrat aktuale ende nuk pasqyrojnë situatën para COVID-19.

Lexo edhe

Video