KosovaPress nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me agjencinë greke të lajmeve

Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Lajmeve të Athinës/Agjencia Maqedonase të Shtypit. Ky partneritet do të mundësojë shkëmbimin e lajmeve në mes dy agjencive ku klietët dhe lexuesit e dy agjencive do te kenë me shumë lajme nga te dyja vendet. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes prezente ishte edhe ambasadorja Heleni Vakali e cila është udhëheqëse e zyres greke ne Kosovë.

Marrëveshja është nënshkruar mes drejtoreshës së KosovaPress, Suzana Hashani Rakovica dhe atij të Agjencisë së Lajmeve të Athinës/Agjencia Maqedonase e Shtypit, Aimilios Perdikaris.

Mysafirët grekë kanë vizituar objektin e Agjencisë së Lajmeve “KosovaPress” dhe janë njoftuar nga afër me punën që bëhet tani e 24 vjet.

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Lajmeve, KosovaPress, Suzana Hashani Rakovica ka thënë se kjo marrëveshje është me rëndësi për vendin dhe do të ndihmojnë edhe në promovimin e bizneseve dhe kulturave të të dyja vendeve.


“Është shumë me rëndësi për Kosovën, për KosovaPress-in, gjithashtu që të shpërndahen lajme të sakta dhe burime të sakta përmes agjencive. Ky është edhe roli i agjencive të lajmeve që ne të depërtojmë edhe jashtë vendit tonë, jo vetëm me lajme apo media këtu, por edhe me mediat në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, por edhe Kosova të jetë pjesë e shteteve të Evropës, pjesë e shteteve të Ballkanit. Kështu që ne kemi nevojë të njihemi me kulturën, me ekonominë, sportin gjithandej, jo vetëm në vendin tonë”, ka thënë ajo.

Edhe drejtori i Agjencisë së Lajmeve të Athinës/Agjencia Maqedonase e Shtypit, Aimilios Perdikaris tha se janë të interesuar për përmirësimin e përmbajtjes e medias që drejton.

“Mendoj se nuk duhet të vendosim afat për përfundimin e kësaj marrëveshjeje, sapo kemi filluar të punojmë së bashku dhe mendoj se të punuarit së bashku do të na ndihmojë ta përmirësojmë këtë bashkëpunim. Ne nuk duhet vetëm të shkëmbejmë lajme çdo ditë dhe të shkëmbejmë lajme kur kemi ngjarje të rëndësishme në vendet tona, e kam fjalen kur kemi lajme dhe ngjarje të cilat janë me rëndësi për t’u shkëmbyer ndërmjet agjencive tona, por ne gjithashtu mund të punojmë së bashku në shumë projekte të përbashkëta, projekte evropiane, projekte rajonale, projektet në EANA, të Asociacionit Evropian (të agjencioneve të lajmeve) dhe të Asociacionit Ballkanik gjithashtu, ngase në shtator ne regjistruam ABNA-në, dhe tani po planifikojmë të bëjmë një hap më tej; të sjellim një ide për formimin e një ‘Newsroom Ballkanik’, për të punuar në projekte të përbashkëta, për të pasur financime, për të gjetur mënyrën e duhur për të ndihmuar agjencitë tona dhe jo vetëm Asociacionin”, ka thënë ai.

E fund te shtatorit, “KosovaPress” zyrtarisht është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA https://www.newsalliance.org). Ndërkaq, nga viti 2017 është pjesë e rrjetit ballkanik të agjencive të lajmeve ABNA-SEE.

Deri më tani, përveç kësaj marrëveshjeje, KosovaPress ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shume agjenci të tjera lajmesh, si Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), Agjencinë italiane të lajmeve (ANSA), agjencinë turke Anadoly Agency (AA), Agjencinë bullgare të lajmeve (BTA)…

Lexo edhe

Video