KosovaPress dhe ATSh rikonfirmojnë bashkëpunimin

KosovaPress dhe ATSh rikonfirmojnë bashkëpunimin

Agjencia e lajmeve KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSh) kanë rikonfirmuar bashkëpunimin e suksesshëm mbi një dekadë duke ripërtërirë marrëveshjen mes dy mediave që përfshin shkëmbimin e informacioneve dhe materialeve të tjera si fotografi dhe video.

Marrëveshja është nënshkruar nga krerët e të dy mediave, drejtoresha e KosovaPress, Suzana Rakovica, si dhe drejtoresha e ATSh, Valbona Zhupa. Përmes kësaj marrëveshjeje, jeta politike, sociale e kulturore e të dy vendeve vjen më afër për ndjekësit e të dy agjencive përmes informacioneve të sakta.

Pas nënshkrimit, Zhupa, deklaroi se së bashku me KosovaPress kanë plane për të ardhmen për të cilat janë duke punuar.


“Privilegj nga ana ime që nënshkruaj këtë marrëveshje, të dy agjencitë tona do të jenë zë i qytetarëve shqiptarë në rajon, Evropë dhe më gjerë. Ne jemi duke punuar shumë për të ardhmen, fillimisht me lobimin tonë që KosovaPress të bëhet pjesë e EANA-s por edhe të krijohet Dhoma Ballkanike e Lajmeve, mes agjencive të lajmeve ballkanike”, tha ajo.

Ndërsa, Rakovica, ka shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme që Agjencia Telegrafike Shqiptare i ka dhënë KosovaPress-it si nga ana profesionale po ashtu edhe në lobimin për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të agjencive të lajmeve.

“Ne me ATSh kemi një bashkëpunim mbi 10-vjeçar dhe kjo marrëveshje e rinovuar sot vetëm sa forcon këtë bashkëpunim mes nesh, por në të njëjtën kohë jemi dy agjenci shqiptare që mundohemi që interesin e qytetarit ta përcjellim sa më larg edhe përmes agjencive të tjera rajonale e evropiane me të cilat kemi bashkëpunim”, tha ajo.

KosovaPress aktualisht është pjesë e Rrjetit Ballkanik të Lajmeve si ABNA, ndërsa synon të bëhet pjesë edhe e Rrjetit Evropian e njohur si EANA. Javë më parë, KosovaPress nënshkroi marrëveshje me Agjencinë bullgare të Lajmeve BTA, si pjesë e procesit për ngritjen e Dhomës Ballkanike të Lajmeve.

Lexo edhe

Video