Sistemi shëndetësor i Kosovës aktualisht ka të punësuar vetëm një specialist të mjekësisë së punës. Mungesën e tyre e plotësojnë mjekët e mjekësisë familjare. Shtimi i numrit të mjekëve të punës po konsiderohet masë urgjente ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë presin që në fillim të vitit të ardhshëm të shtohen dhe katër specialistë të kësaj fushe.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, e cila ka selinë në Gjakovë, Albert Lila e konsideron të domosdoshme të punohet në drejtim të plotësimit të këtij boshllëku në sistemin shëndetësor.
“Kosova aktualisht në sistemin shëndetësor në marrëdhënie të rregullt ka vetëm një specialiste të mjekësisë së punës, shumica e kolegëve nga mjekësia e punës janë në pension tashmë”, theksoi ai.
Lila thotë se për shkak të mungesës së mjekëve të punës, po shikohen mundësitë edhe për angazhim të profesionistëve shëndetësorë të pensionuar.Ndërkaq, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha thotë se përmes shkollimit specialistik kanë ndërmarrë masa që kjo situatë të përmirësohet.
Në anën tjetër, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu e sheh të nevojshme që të shtohen kapacitetet e specialistëve të mjekësisë së punës.
Sipas tij, çdo komunë duhet të kishte të angazhuar së paku dy mjekë të punës.
Në periudhën e para luftës në Kosovë kanë qenë të angazhuar rreth 52 mjekë të punës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mjekësia e punës synon ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e kushteve dhe mjedisit të punës, si dhe zhvillimin e organizimit dhe kulturave të punës.