Kosova U16 në basketboll synon rezultate pozitive në evropian

Kosova U16 në basketboll synon rezultate pozitive në evropian

Përzgjedhësi i Kosovës U16 (M), Valentin Spaqi ka folur për faqen zyrtare të FBK-së para fillimit të Kampionatit Evropian në Prizren, nga 12 deri më 17 korrik.

Fillimisht ai ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Përgatitjet janë për një kohë të shkurtër dhe ne do të mundohemi të nxjerrim maksimumin, duke marrë parasysh se i kemi dhënë përparësi gjeneratës 2007 dhe kemi një ekip shumë të ri. Shumë lojtarë janë nga Qendra Nacionale e Basketbollit, ku kanë luajtur më shumë se 20 ndeshje në kuadër të YDF-së dhe pjesa tjetër nga kampionati i Kosovës, andaj po mundohemi të bëjmë një gërshetim sa më të mirë për një ekip sa më të mirë”, është shprehur Spaqi, duke shtuar se beson shumë te ky ekip.


Ai ka folur për rëndësinë që ka ky kampionat, që mbahet në Prizren për shtetin e Kosovës dhe Federatën e Basketbollit të Kosovës. “Mendoj se tashmë jemi në hartën e FIBA-s për organizime të mira dhe kjo falë një pune të mirë nga krerët e FBK-së, pasi sikur të mos bënin një punë të mirë, nuk do të na jepej e drejta e organizimit të një Evropiani, ku marrin pjesë tetë shtete”.

Përkrahja nga tifozët është shumë e rëndësishme për lojtarët dhe për suksese. “Është shumë e rëndësishme. Është një përparësi e jashtëzakonshme që luajmë në Prizren. Është koha për tifozët që të vijnë dhe t’i përkrahin fëmijët. Besoj se përkrahja nuk do të mungoj”, theksoi Spaqi.

Kosova është organizatore e FIBA Kampionatit Evropian, Divizioni C për meshkujt U16. Gara zhvillohet në Prizren nga 12 deri më 17 korrik, ku garojnë tetë shtete për trofeun e çmuar.

Lexo edhe

Video