Kosova shton sanksionet kundër Rusisë

Qeveria e Kosovës ka shtuar sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me ato të cilat janë vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat ndër të tjera përfshijnë ngrirje të aseteve në territorin e Kosovës për të sanksionuarit, ndalim udhëtimi, bllokim të qasjes në fonde dhe ndalim të operimit në tregun financiar kosovar për të sanksionuarit.

Në mbledhjen e qeverisë u bë e ditur se në pakon e sanksioneve, përfshihen ndalesa edhe për Bjellorusinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Kosova është rreshtuar ndër vendet e para në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë.

“Këto konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim të qasjes dhe operimit në tregun financiar të Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara, ndalim për çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus dhe bjellorus që të transportojnë mallra përmes rrugëve brenda Kosovës përfshirë transitin, përjashtimisht produkteve farmaceutike mjekësore, bujqësore dhe ushqimore duke përfshirë grurin dhe transportin rrugor për qëllime humanitare, dhe ndalim të importit nga Rusa të qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse të ngurta në Kosovë nëse ato janë me origjinë nga Rusia ose eksportohen nga Rusia”, ka thënë Bislimi.

Përveç kësaj, qeveria ka vendosur masa kufizuese edhe për grupin Ëanger-një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.

Nga qeveria është thënë se aktiviteti i tyre është në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Gjithashtu, ekzekutivi është pajtuar për zbatimi ne sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian, lidhur me marrjen e masave restriktive për terrorizëm ndaj ISIL dhe Al-Qaeda dhe personave fizik dhe juridik, subjekteve ose strukturave të tjera të lidhura me ato.


Sanksionet gjithashtu përfshijnë ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim udhëtimi në territorin e Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde në mënyrë direkete apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka thënë se sanksionet synojnë të kufizojnë aktivitetet e këtij grupi.

“Individët e subjektit të sanksionuara janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve terroriste në Afganistan dhe vendet fqinje, prandaj ato përbëjnë një kërcënim serioz dhe të vazhdueshëm për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Nëpërmjet aktiviteteve të tyre propagandistike ata gjithashtu kanë luajtur një rol kyç në promovimin e ideologjisë së dhunshme xhihadiste të Al-Qaedas dhe Daeshit dhe në nxitjen e akteve terroriste në mbështetje të këtyre dy organizatave. Ky vendim do të konfirmonte vendosmërinë tonë të palënkundur për ta luftuar kërcënimin terrorist të paraqitur nga Daesh dhe Al-Qaeda dhe degët e tyre rajonale”, ka thënë ai.

Gjithashtu, qeveria ka emëruar Dije Rizvanollin përfaqësuese të Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës zhvillimore të Këshillit të Evropës.

“Tani që kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës ne veçse jemi anëtar në Bankën zhvillimore të këtij këshilli dhe marrë parasysh që është shumë e rëndësishme që kemi raporte tepër të mira me këtë bankë pra duhet ta vazhdojmë edhe anëtarësimin ose përfaqësuesin në këshillin administrativ të kësaj banke në mënyrë që të përfaqësohemi sa më mirë dhe të kemi komunikim të pashërueshëm me bankën. Propozohet që të emërohet zonja Dije Rizvanolli që është vijëmsi e pozitës së njëjtë që ka përfaqësuar pra është në stafin administrativ civil të ministrisë”, ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.

E për këtë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se shpreson që mos të interpretohet si konflikt interesi, meqë Rizvanolli ishte studente e tij.

“Shpresoj që kjo nuk do të interpretohet si konflikt interesi në rastin tim për arsye se Dija ka qenë studente e imja në universitetin amerikan”, ka thënë Bislmi.

Në mbledhjen e qeverisë është vendosur edhe që programit legjislativ për vitin 2022 t’i shtohet edhe projektligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërsa afati për miratim është vendosur 20 dhjetori i këtij viti.

Lexo edhe

Video