Kosova shënon përmirësim në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

Kosova ka vazhduar përmirësimin në Indeksin e Perceptimit të Korrupsion ku raporti i fundit e radhitë në vendin e 84 në ranglistën botërore prej 180 shteteve. Në indeksin e Transparency International Kosova është vlerësuar me 41 pikë duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Megjithatë, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, shteti ende mbetet larg mesatares së Bashkimit Evropian prej 66 pikësh.

Duke e prezantuar raportin, Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të përmirësimit të Kosovës krahasuar me vitet e kaluara.

“Për vitin 2022 Kosova është e vlerësuar me gjithsej 41 pikë duke u ranguar në vendin e 84 nga 180 shtete të botës. Ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të përmirësimit të Kosovës në këtë indeks krahasuar me vitet e kaluara. Në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet në vendin e dytë, pas Malit të Zi, ndërsa lë pas vetës Maqedoninë e Veriut me 40 pikë, Shqipërinë dhe Serbinë me nga 36 pikë, si dhe Bosnje Hercegovinën me 34 pikë. Megjithatë vlen të theksohet që Kosova mbetet ende jashtëzakonisht larg mesatares së Bashkimit Evropian e cila ka një mesatare prej gjithsej 66 pikësh”, ka thënë ai.

Sipas KDI-së progresi i Kosovës për gjatë vitit të kaluar i atribuohet kryesisht përmirësimit të kornizës ligjore në veçanti të ligjit për financimin e partive politike si dhe pakos së ligjeve për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe avancimin e punës së institucioneve të angazhuara në luftën kundër korrupsion.

KDI vlerëson se qeveria nuk duhet të hezitojë në shpenzimin e parasë publik nga frika e rasteve të korrupsionit.


“Sa i përket mungesës së rasteve të korrupsionit, mungesa e skandaleve të korrupsionit, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë është e ndërlidhur drejtpërdrejt me nivelin shumë të ulët të shpenzimeve dhe investimeve kapitale që si faktor ka reduktuar potencialin për raste të tilla të korrupsionit. Sidoqoftë ne konsiderojmë që kjo nuk duhet të shihet assesi si strategji që qeveria duhet të ndjek në raport me luftimin e korrupsionit. Sa i përket sektorit të drejtësisë, janë evidente rastet kur ekzekutivi ka ndërhyrë në punën dhe pavarësinë e tij, sidomos në vendimin për uljen e pagave por edhe rasteve të ndryshme të deklarimeve publike mbi raste të caktuara gjyqësore”, ka thënë ai.

Megjithatë, Cakolli ka thënë se gjatë vitit të kaluar ka vazhduar fenomeni i politizimit të bordeve përmes praktikave të emërimit të anëtarëve nga radhët e partisë në pushtet.

“Gjatë vitit të kaluar ka vazhduar fenomeni i politizimit të bordeve përmes praktikave të emërimit të anëtarëve nga radhët e partisë në pushtet. Në disa prej ndërmarrjeve kryesore publike në vend në të cilat ka pasur ndryshime të menaxhmentit të emëruarit është vërejtur se janë persona të afërt, ish zyrtar politik apo persona të lidhur me partinë në pushte. Me qëllim të luftimit sa më efektiv të korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë, qeveria duhet të garantojë një reformë në drejtësi e cila është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me kusht që e njëjta të ketë koordinim sa më të mirë me gjithë akterët relevant, në veçanti me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë”, ka shtuar ai.

Indeksi i Transparency International publikohet në baza vjetore dhe përfshinë 180 shtete të botës.

Vlerësimi fillon nga zero deri në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri dhe shtet pa korrupsion.

Sipas rezultateve për vitin 2022, shumica e shteteve kanë pasur pak apo fare progres në luftimin e korrupsionit, duke bërë që më shumë se 2/3 e shteteve të botës të kenë probleme serioze me korrupsionin dhe të jenë të nën vlerën mesatare prej 50 pikëve.

Lexo edhe

Video