Kosova shënon fitore kundër Malit të Zi

Kosova shënon fitore kundër Malit të Zi

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave në grupmoshat U17 e ka mposhtur atë të Malit të Zi në miqësoren e parë që u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali.

“Dardanet” e reja treguan paraqitje fantastike në këtë përballje, pavarësisht rezistencës së mirë të futbollisteve mysafire, përcjell KosovaPress.

Rezultatin e para e zhbllokoi Masha Tomasheviq, e cila në minutën e 9’ shënon nga penalltia për të kaluar Malin e Zi në epërsi prej 1:0.

Por, kundërpërgjigja e Kosovës ishte e shpejtë, ku Rita Feka arriti ta barazoj rezultatin në 1:1 në minutën e 11’ të ndeshjes.


“Dardanet” vazhduan paraqitjen e mirë, ku edhe e përmbysën rezultatin përmes Shenarta Belas, e cila shënon në minutën e 19’ për 2:1.

Ndeshja vazhdoi të jetë e zjarrtë, ku malazezët arritën të barazojnë shifrat në minutën e 23’, ndërsa golashënuese ishte përsëri Masha Tomasheviq.

Përkundër dominimit dhe rasteve të njëpasnjëshme të futbollisteve tona, ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, kur Sahare Berisha shënoi nga penalltia, në minutën e 89’, teksa në minutat shtesë për rezultatin final u përkujdes Albina Gegaj e cila e vulosi fitoren e Kosovës me shifrat 4:2.

Miqësorja e dytë mes Kosovës U17 dhe Malit të Zi U17 në konkurrencën e femrave zhvillohet të enjten, në orën 11:00, po ashtu në Hajvali.

Lexo edhe

Video