Kosova pa fond social, kërkesat për ngritjen e tij nuk marrin përgjigje

Kosova vazhdon të mos ketë fond social, fond i cili do t’i dilte në ndihmë personave të cilët pa dëshirën e tyre mund të shkëpusin marrëdhëniet e punës e që do të lehtësonte periudhën deri në gjetjen e një punë te re. Ky instrument, në vende të tjera të cilat funksion, shërben për të zbutur krizën aktuale ekonomike duke mos i rrezikuar mirëqenien një person të aftë për punë, por në të njëjtën kohë mbështet edhe punësimin.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka qenë një ndër organizatat përfaqësuese të punëtorëve e cila ka adresuar zyrtarisht kërkesën Kuvendit të Kosovës, por edhe kryeministrit e presidentes, për ngritjen e këtij fondi.

Kryetari i SPSPK, Jusuf Azemi, thotë për KosovaPress se ky fond do të mund të shërbente edhe për rastet fatale kur një punëtor vdes në vendin e punës.

“Kemi kërkuar që të kemi një fond social i cili për rastet e jashtëzakonshme, sikurse punëtorët që mund të jenë për një periudhë jashtë procesit të punës për shkak të lëndimeve, po e themi edhe larg asaj, edhe shumë punëtorë kanë humbur jetën e tyre në vendin e tyre të punës, dhe këto familje të kenë një mbështetje simbolike deri sa të vijë tek përfundimi i gjykatës për caktimin e fajësisë së pronarit apo të punëtorit dhe kemi dashur që në këtë periudhë që të mos mbetet familja edhe pa një anëtar të familjes, por edhe pa një mbështetje sociale pasi që pjesa dërrmuese që humbin jetën në vendin e tyre të punës janë punëtorë (të ndërtimit) të varfër pasi që obligohen që të hipin në 10, 12 ose 15 kate që në mënyrë direke e rrezikojnë shëndetin dhe vet jetën e vet me qëllim që të ndihmojnë familjen e vet”, ka thënë Azemi.


Përkundër që kërkesa për ngritjen e këtij fondi ka shkuar tek institucionet kryesore, Azemi thotë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje, qoftë pozitive apo negative, duke shuar se mungesa e çfarëdo përgjigjeje tregon mosinteresim nga ana e shtetit në lidhje me këtë çështje.

“ Nuk kemi marrë përgjigje, ne së paku kemi kërkuar që të kthehet një përgjigje pse nuk po bëhet ky fond së paku ta kemi një arsye sepse njerëz jemi edhe ne, nëse ka ndonjë arsye të arsyeshme dhe ne mund të pajtohemi, por megjithatë më e rënda është ajo që neve edhe kërkesën që e kemi bërë nuk është kthyer sepse është legjitime apo nuk është legjitime, është e arsyeshme apo nuk është e arsyeshme, kjo është ende më e rëndë sepse siç e thashë ka elemente nëse nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë fond, mund të themi që mund të bëhet pas një muaji, dy muaji, pas një viti, pas dy vite. Sipas anës sonë duket që nuk janë të interesuar që të merren fare me këtë çështje”, vijoi Azemi për KosovaPress.

Megjithatë, duket se bashkëpunimi mes sindikatave dhe institucioneve është zbehur, sidomos pas debateve në distancë mes zyrtarëve e përfaqësuesve të organizatave që përfaqësojnë punëtorët. Kështu pohon edhe vet Azemi që thotë se bashkëpunimi me ekzekutivin është zero.

“Realisht bashkëpunimi ynë nuk është në nivelin e duhur, madje as për së afërmi, pasi që ne disa herë kemi kërkuar zyrtarisht që të takohemi dhe të flasim për problemet të cilat i kemi dhe deri më tani nuk jemi takuar, as me kryeministrin, as me ministrin e (Financave,) Punës dhe Transfereve, i cili ministër është lokomotiva e zgjidhjes së problemit të sektorit privat. Kur e kemi fjalën mbi ligjin dhe sigurinë mbi shëndetin është marrëveshja kolektive dhe ligjet e tjera, po të themi ne nuk jemi të kënaqur por mund të themi se bashkëpunimi në mes të sindikatës dhe të Qeverisë është i barabartë me zero”, u shpreh Azemi.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat ka kujtuar se edhe situata me kontratat e punës për punëtorët nuk është përmirësuar, duke shtuar se në gastronomi vazhdon të jetë numri më i lartë i atyre që punojnë pa kontrata pune.

Lexo edhe

Video