Kosova ka dështuar në diplomacinë ekonomike, kërkohet emërimi i atasheve ekonomikë

Kosova ka dështuar në diplomacinë ekonomike, kërkohet emërimi i atasheve ekonomikë

Kosova 14 vjet shtet ende pa diplomaci ekonomike të qëndrueshme dhe pa atashe ekonomikë në misionet diplomatike.

Që nga shpallja e pavarësisë, vendi ka ngecur në promovimin e prodhimit vendor, si dhe kapacitetin turistik të saj para botës.

Komuniteti i biznesit vlerëson se Kosova ka dështuar në diplomacinë ekonomike, përkatësisht në emërimin e atasheve ekonomikë, të cilët do të lobonin për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe për krijimin e marrëdhënieve ekonomike me shtetet e zhvilluara.

Në anën tjetër në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe asaj të Tregtisë, kanë zgjedhur heshtjen për këtë çështje. Përkundër insistimit tonë, nuk janë përgjigjur për KosovaPress. 

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka vlerëson se diplomacia ekonomike duhet të jetë prioritet i kësaj qeverie, ani se sipas tij, për 13 vjet, qeveritë e kaluara kanë dështuar në këtë aspekt.

Zeka thotë për KosovaPress se angazhimi në diplomacinë ekonomike do ta fuqizonte edhe subjektivitetin e Kosovës për njohje të reja. 

“Qeveria gati mbush edhe njëvjetorin e plotë të saj, dhe arsyeja pse bëra një krahasim të tillë ose një referencë të tillë kohore është për të treguar se 13 vitet e tjera, qeveritë e ndryshme janë fokusuar relativisht pak në fuqizimin e kapaciteteve tonë të diplomacisë ekonomike. Duhet të bëhet shumë më tepër në këtë aspekt. Kjo nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të deklarimit ose një zotim deklarativ, por megjithatë duhet të shohim një angazhim shumë më serioz të institucioneve të vendit. Në këtë aspekt fuqizimi i diplomacisë ekonomike pashmangshëm që do të ndihmonte edhe në fuqizimin e subjektivizmit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pse jo meqenëse përmes raporteve ekonomike tregtare shpeshherë ndërtohen dhe raportet e bashkëpunimit me shtete të cilat nuk e kanë njohur ekzistencën e Kosovës siç është rasti i Greqisë”, thotë Zeka.

Më tej kreu i OEAK-ut, Zeka ka thënë se Kosova ka resurse njerëzore dhe mjete buxhetore të mjaftueshme për rritjen e aktivitetit të Kosovës në fushën e diplomacisë ekonomike.


Zeka shton se është momenti i fundit që të bëhet diçka e tillë nga kjo qeveri.

“Kjo nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ. Besoj që kemi kapacitete njerëzore, kapacitete buxhetore dhe financiare për jetësimin ose rritjen e aktivizimit të Kosovës në fushën e diplomacisë ekonomike. Duhet të emërohen atashetë ekonomikë nëpër qytete të shteteve të cilat ka prani më të madhe ose aktivitet më të madh ekonomik në nivel global. T’i shmangim ndoshta qendrat e shteteve qofshin ato të Evropës perëndimore apo edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo shteteve të Azizë, por të fokusohemi më tepër në qendrat në të cilat ka aktivitet më të madh industrial dhe ekonomik. Është momenti i fundit që të bëhet diçka e tillë në këtë aspekt”, thekson ai.  

Në Odën e Afarizmit të Kosovës janë shprehur të pakënaqur për moszhvillim të diplomacisë ekonomike nga ana e shtetit të Kosovës.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Skënder Krasniqi thotë për KosovaPress, se Kosova është i vetmi shtet që nuk ka atashe ekonomik.

Krasniqi deklaron se vendi duhet sa më parë të ketë atashe ekonomik nëpër botë për prezantimin e ofertës të të bërit biznes.

“Duhet të kemi atashe ekonomik nëpër ambasadat tona dhe oferta e të bërit biznes të prezantohet përmes atasheve ekonomik. Jemi vendi i vetëm që nuk kemi asnjë atashe ekonomik në asnjë vend. Pastaj, duhet që Ministria e Punëve të Jashtme, sektori i ekonomisë të lobojë më shumë që kërkesat tona që kërkesat tona të cilat i kemi drejtuar t’i trajtojë në vendet në të cilat po kemi probleme të operimit… në këtë mënyrë do të ketë një siguri edhe më të madhe për investitorët dhe një rritje më të madhe të investimeve të huaja në Kosovë”, thekson Krasniqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi deklaron për KosovaPress, se një diplomaci ekonomike e mirëfilltë do të lehtësonte shumë procese për vendin, edhe në raportet politike, përfshirë njohjen e Kosovës dhe liberalizmin e vizave.

“Kjo do të kishte impakt edhe me shumë vende të cilat janë skeptike me proceset në Kosovë, edhe siç është liberalizimi i vizave.  Po ashtu nëse do të kishte komunikim më të madh ekonomik, më shumë këmbime tregtare, më shumë investime nga këto vende, sigurisht se edhe ato do ta shihnin më ndryshe Kosovën. E njëjta ndodhë edhe me ato vende të cilat nuk na njohin. Prandaj, një diplomaci ekonomike do t’i paraprinte ose do të lehtësonte edhe shumë procese për raporte politike me ato vende”, thotë Rukiqi.

Roli i atasheve ekonomik është i rëndësishëm në diplomacinë ekonomike për promovimin e vlerave dhe kapaciteteve në të gjithë sektorët ekonomik.

Lexo edhe

Video