Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024). Sipas ASK-së, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë. Numër ky që ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Në atë vit Kosova kishte 1 milion e 739 mijë e 825 banorë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati theksoi se sa i përket regjistrimit të popullsisë në pjesën veriore, shumica dërmuese në atë pjesë kanë bojkotuar procesin për shkak ndikimit politik. Megjithatë, shton se në bazë të vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtar jetojnë rreth 24 mijë, numër ky që është përfshirë në shifrat e regjistrimit të popullsisë..
Kastrati në këtë prezantim ka treguar edhe për dëmet e luftës së fundit. Ai tha se në bazë të rezultateve gjithsej ekonomi të prekura 154 mijë e 272, ndërsa dëmet në ekonomi familjare është vlerësuar mbi 5 miliardë euro.
Sa i përket dëmeve të luftës, Kastrati vlerëson se ka një nën raportim, pasi siç tha ai, jo të gjithë njerëzit që janë ballafaquar gjatë regjistrimit nuk kanë qenë prezent, një pjesë e tyre ka mundur të lëviz jashtë Kosovës.Sa i përket numrit të diasporës të regjistruar, ai tha se procesi është duke vazhduar, mirëpo sipas tij, deri tani nga diaspora janë regjistruar rreth 550 mijë qytetarë.
Regjistrimi i popullsisë kishte filluar më 5 prill dhe ka përfunduar me 24 maj 2024. Regjistrimi i popullsisë është një proces i numërimit të gjithë banorëve dhe mbledhjes së informatave demografike, ekonomike, sociale, arsimore, bujqësore dhe informatave të tjera për secilin person.