Për më shumë se tri vite të qeverisje Kurti 2, shumë institucione të rëndësishme për vendin po vazhdojnë të drejtohen me ushtrues detyre. Për këtë, kritika ndaj Qeverisë kanë adresouar partitë opozitare dhe shoqëria civile.
Mosemërimi në pozita udhëheqëse po shihet si praktikë që partia në pushtet po e përdorë që të ketë kontroll më të lehtë në institucione, por edhe për “rehatimin” e bashkëpartiakëve.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi për KosovaPress, se ekzekutivi i ka dëmtuar institucionet e Kosovës duke i lënë të udhëhiqen me ushtrues detyre.
Sipas Qalajt, edhe kjo qeveri duhet sa më shpejt të jetë me ushtrues detyre.
Mendim të njëjtë ka edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi( IKD), Ehat Miftaraj, i cili nënvizoi se kjo qeveri po e vazhdon avazin e qeverisjeve të kaluar sa i përket pozitave që ushtrohen me ushtrues detyre.
Miftaraj vlerëson se kjo praktikë po përdoret me qëllim të kontrollimit më të lehtë nga ana e ekzekutivit ndaj këtyre ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore.
Analisti i çështjeve ekonomike, Adem Qorolli theksoi se institucionet e vendit po i përdorin si trampolinë fuqinë politike të tyre në sistemin e bordeve.
Qorolli ka këshilluar që politika sa më shpejt të heqë dorë nga emërimet politike, sidomos në ndërmarrjet ekonomike të vendit.