Kosova e Shqipëria me marrëveshje për pranimin e studentëve të universitete

Maturantët nga Kosova e Shqipëria nga viti i ardhshëm akademik, mund të konkurrojnë në të dyja vendet me të njëjtat kushte, kritere dhe procedura. Kjo është një nga marrëveshjet që pritet të nënshkruhet sot në Prishtinë, në mbledhjen e tetë të dy qeverive. Kosova dhe Shqipëria do të kenë procedurat e unifikuara të aplikimit dhe regjistrimit në programet e ciklit të parë, të dytë dhe profesionale.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së Kosovës, parasheh pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë.

Zëvendësministri i Kosovës, Dukagjin Popovci tha se me këtë marrëveshje parashihet të hiqen të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve të të dyjave vendeve në institucionet publike.

“Me ketë marrëveshje, maturantë nga Kosova dhe nga Shqipëria do të kenë qasje të barabartë në 19 universitete publike nga Gjirokastra deri në Mitrovicë. Duke shtuar kështu mundësinë për përzgjedhjen e institucionit të arsimit të lartë dhe programit të studimeve. Më gëzon fakti, se marrëveshja po nënshkruhet në prag të afateve për regjistrim në institucionet e arsimit të lartë të të dy vendeve. Prandaj, edhe mund të zbatohet nga ky vit”, ka deklaruar ai.


Më tej, ai ka shtuar MAShTI do të vazhdojë të kërkojë nga institucionet publike në Kosovë që të ofrojnë kuota të veçanta për studentët nga Shqipëria në formë të masës informative.

E ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi tha se kjo marrëveshje është nga lajmet më të mira të mbledhjes së dy qeverive.

“Ne sot japim mundësi të barabarta dhe kushte të barabarta, të gjithë të rinjve shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria për të konkurruar njësoj në të gjitha universitetet në vendet tona. Ne sigurisht do të lehtësojmë procedurat e njohjes së diplomave të shkollës së mesme, do të kryhet vetëm brenda tri ditësh dhe më pas do të unifikojmë të gjitha procedurat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studentëve ne universitete. Që nga viti i ardhshëm çdo i ri, jo vetëm maturant po edhe një i ri që ka një diplomë të arsimit të mesëm në duar, mund të konkurrojë lirisht në Kosovë apo në Shqipëri në kushte të barabarta”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, kjo marrëveshje është plotësisht e zbatueshme dhe vjen pikërisht në momentin e duhur për shkak të unifikimit të korrikulës.

Shqipëria dhe Kosova do të kenë procedurat të unifikuara të aplikimit dhe regjistrimit në programet e ciklit të parë, të dytë dhe profesionale.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.