Kosova do ta ketë më të vështirë përfitimin e fondeve IPA 3 nga BE-ja

Kosova do ta ketë më të vështirë përfitimin e fondeve IPA 3 nga BE-ja

Shteti i Kosovës pritet të ketë shumë më të vështirë përfitimin e fondeve IPA nga Bashkimi Evropian. Edhe pse ka një rritje prej 1.1 përqind të fondeve IPA 3 për Ballkanin Perëndimor, Kosova nuk i ka të ndara enkas mjetet financiare si më parë. Por do të jetë në konkurrencë të ashpër me shtetet e tjera ballkanike për përfitimin e tyre.

Në lidhje me këtë, ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, për KosovaPress tha se për përfitimin e këtyre fondeve do të hartojnë një plan real dhe do të ketë një menaxhim më të mirë se në të kaluarën. Pasi sipas tij, keqmenaxhimi mund të bëjë që të humbin këto fonde.

“Nuk do të jetë më i ulët, por sigurisht se do të shikohet më me kujdes ndarja e ardhshme. Duke pas parasysh përvojën e kaluar. Pa dashur të merrem me menaxhimin e paraardhëses sime, nuk më takon. Por na është thënë në takimet e para që kisha me përfaqësuesit e BE-së që të jemi shumë më syhapur dhe llogaridhënës në shfrytëzimin e fondeve IPA. Paraprakisht na duhet një plan real dhe një menaxhim më i mirë. Fundja ju e dini se IPA fondet janë fonde të decentralizuara dhe përgjegjësia bartet tek ne. Po ashtu paaftësia jonë dhe keqmenaxhimi mund të na i humb fondet”, thotë Reka.

Se duhet një menaxhim më i mirë për të përfituar fondet e BE-së, e thotë edhe Demush Shasha nga instituti “Epik”.

Në një prononcim për KosovaPress, ai këtë e bazon në mënyrën e tanishme si do të ndahen ato, pasi sipas tij secili vend i Ballkanit Perëndimor do të jetë në garë në vendin tjetër për të përfituar fondet e BE-së.


“Risia kryesore e IPA 3 që do të fillojë nga viti tjetër të zbatohet në gjithë Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë e rëndësishme. Për faktin se mënyra se si BE-ja ka ndarë fondet për vendet e Ballkanit Perëndimor deri më sot ka qenë që çdo vend ka ditur saktë sa mjete financiare do përfitojë. Kjo më nuk do të bëhet kështu në IPA 3. Aty secili vend i Ballkanit Perëndimor do të jetë në garë në vendin tjetër për të përfituar fondet e BE-së. Me fjalë të tjera asnjë vend nuk do të ketë fond të garantuar të vetit. Sikur që ka qenë rast deri më tash. Kjo nënkupton për Kosovën se duhet të këtë një përgatitje të jashtëzakonshme të institucioneve për të përgatit projekte sa më të mira karshi fondeve të BE-së. Pasi çdo gjë që përgatisim ne në Prishtinë do të jetë në konkurrencë me projektet që do të dorëzon, Tirana, Shkupi, Beogradi apo Podgorica”, thotë ai

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Besnik Vasolli thekson nevojën që Qeveria e re të investojë më shumë në resurse njerëzore dhe të bëjë planifikimet e duhura se cilat fonde mund të përfitojë.

“Pritet që IPA 3 të ketë një rritje të vogël në përgjithësi në krejt porfoljon e Ballkanit Perëndimor dhe të Turqisë. Pritet të ketë një rritje prej 1.1 përqind, është një rritje e vogël. Mirëpo risi e cila sjell IPA 3 kësaj radhe është që fondet nuk do të jenë të ndara për shtete. Do të jetë një fond i përgjithshëm në masë të madhe, Qeveritë e vendeve duhet të aplikojnë për ato fonde. Këtu vjen pyetja e kapaciteteve, sa do të ketë Kosova kapacitete të aplikoj për ato fonde. T’i arsyetoj ato prioritete me të cilat aplikojnë për t’i zbatuar ato në Kosovë. Ende është herët për të ditur saktësisht si do të shkoj, nuk janë definu të gjitha detajet. Mirëpo do të jetë më e vështirë sa ka qenë më herët”, thotë ai.

Implementimi i fondeve IPA 3 do të fillojë prej vitit 2021 dhe do të zgjasë deri në vitin 2027./

Lexo edhe

error: