Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje për kërkime dhe avancime të përbashkëta shkencore. Përmes këtij dokumenti do të mbështeten 16 projekte të studiuesve dhe kërkuesve nga të dy anët e kufirit. Thirrja pritet të hapet deri në fund të këtij muaji ndërsa vlera e financimit arrin në 20 mijë euro për secilin projekt.
Firma është vënë në Prishtinë nga dy ministret e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Evis Kushi.

Nagavci ka thënë se kanë përcaktuar edhe fushat prioritare, që janë shkencat humane albanologjike, burimet natyrore, shëndetet, ndryshimet klimatike dhe tema të tjera që sipas saj janë në interes për dy vendet.

“Me marrëveshjen e sotme po e zgjerojmë hapësirën e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona duke e rritur numrin e projekteve fituese, po planifikojmë të mbështesim gjithsej 16 projekte të përbashkëta në mes të studiuesve dhe kërkueseve nga Kosova dhe Shqipëria të cilët do të mbështetën secili projekt në vlerën me 20 mijë euro dhe do të jenë projekte që do të zgjasin për dy vite“, ka thënë Nagavci.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, ka thënë se projekte të tilla do t’i ndihmojnë kërkuesit dhe studiuesit nga të dy vendet.

Nagavci dhe Kushi kanë ftuar shkencëtarët dhe hulumtuesit të aplikojnë në thirrjen që pritet të bëhet publike së shpejti.