Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk pajtohen për “Ballkanin e Hapur”, por forcojnë marrëdhëniet bilaterale

Kosova dhe Maqedonia e Veriut për herë të parë kanë mbajtur sot mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive. Në Shkup, dy kabinetet qeveritare nënshkruan 11 marrëveshje, të cilat u konsideruan të rëndësishme për bashkëpunim në shumë fusha. Ani pse u shpërfaqën dallimet për iniciativën “Ballkani i Hapur”, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve u theksua se do të forcohen.

Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së dy qeverive, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me nënshkrimin e marrëveshjeve u shënua një etapë e re bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se marrëveshjet dhe memorandumet janë në fushën e diasporës, turizmit, energjisë, ekonomisë, bujqësisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit.

Derisa, theksoi se do të bëhet edhe studimi i fizibilitetit për ndërtimin e rrugës, Prizren-Tetovë, gjë e cila, sipas tij është premtim elektoral dhe programor.

“Sot nënshkruam 11 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, sikurse diaspora, Sigurinë për Forcat e Armatosura, kontrollin e transportit hekurudhor, linja e Brezovicës me Kodrën e Diellit, rehabilitimi i zonës kufitare në Han të Elezit, bashkëpunimi kufitar dhe të tjera. Ndër to është edhe memorandumi i bashkëpunimit sipas të cilit do të formohet një komision i përbashkët për rrugën Prizren-Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm dhe ishte zotim zgjedhor dhe programor i qeverisë sonë[…]05 Për neve është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellët dhe shprehje e vlerësimit për marrëdhënie të mira dhe fqinjësore”, tha ai.

E nikoqiri i takimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se marrëveshjet e sotme do ta lidhin më shumë me Kosovën.

Ai i dha mbështetje dialogut Kosovë-Serbi dhe çfarëdo zgjidhje të pranueshme për dy vendet, ndërkohë, kërkoi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.


“Në plan të parë i kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet për lidhjet infrastrukture të vendeve tona, me qëllim të lehtësojmë dhe avancojmë bashkëpunimin ekonomik dhe komunikimin në përgjithësi. I japim një mbështetje dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të udhëhequr nga BE-ja. Do të mbështesim zgjidhjen që janë të pranueshme nga dy vendet, marrëveshje për normalizim e cila do të forcojë edhe bashkëpunimin ndër-rajonal, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, tha Zaev.

Lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur” në rajon, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dëshira e tyre është të fokusohen më shumë në marrëdhëniet bilaterale në rajon.

Ai theksoi se do të mbështesin vetëm iniciativat rajonale të cilat janë nga Bashkimi Evropian dhe e kanë Bashkimin Evropian brenda.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe marrëveshje në aspektin bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Mbledhja e sotme e dy qeverive është dëshmi për këtë. Jemi të orientuar nga e ardhmja. Për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërkaq Evropa është kontinenti ynë. Andaj, si Republikë e Kosovës i mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi BE-në dhe janë nga BE-ja. Natyrisht të gjitha këto marrëveshje që janë nënshkruar asnjëra nga to nuk mund të cenohet në zbatim pavarësisht ndonjë dallimi që mund  ta kemi”, theksoi Kurti.

Dallimet për këtë temë i shpërfaqi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, por tha se kjo nuk është pengesë për bashkëpunimin e ndërsjellët ndërmjet dy vendeve.

“Për ‘Ballkanin e Hapur’ ne si kryeministra kemi mendime të ndryshme, por kjo nuk është pengesë për bashkëpunim të ndërsjellët, pasi ne kemi detyrimet tona t’i shërbejmë gjithë qytetarëve dhe ekonomisë. Pikërisht këtë po e bëjmë, për mua kjo ditë është historike… unë po e them vetëm një gjë që Kosova është e pavarur dhe sovrane, i ndërton qëndrimet e veta, ne të njëjtat i respektojmë”, tha ai.

Dy kryeministrat në konferencën e përbashkët për medie, ndër të tjera u zotuan për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: