Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike

Pesë muaj pas njohjes së Kosovës nga Izraeli përmes marrëveshjes së Uashingtonit, sot u vendosën marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve. Përmes një ceremonie virtuale u nënshkruan memorandumet e bashkëpunimit në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, kulturës dhe sferave të tjera. Memorandumet u nënshkruan nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj nga Izraeli, Gabriel Ashkenazi.

Kryediplomatja në detyrë, Haradinaj-Stublla në fjalimin e saj është shprehur falënderues ndaj shtetit të Izraelit dhe ShBA-ve.

Ajo ka thënë se Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh pavarësinë e Kosovës, derisa ftoi shtetet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin atë. Ndërkohë ftoi edhe kompanitë izraelite për të investuar në Kosovë.

“Kosova ka pritur shumë gjatë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, në këtë ditë të rëndësishme  po shënojmë një kapitull të ri historik në lidhjen mes dy shteteve tona, të cilat kanë shtegtuar një rrugë  sfiduese për të ekzistuar si popuj dhe për t’u bërë shtet. Izraeli sot po bëhet shteti i 117-të qe po e njeh Kosove shtet të pavarur dhe sovran. Ju faleminderit për këtë. Popujt tanë kanë një të shkuar miqësie, kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira, dhe sot fillojmë rrugëtimin tonë si dy shtet. E kujtojmë kur më 1999, Izraeli strehoi familjet tona qe iknin nga lufta. Ne kultivojmë të njëjtat vlera të demokracisë dhe lirisë, ky do te jetë bazamenti jonë për prosperitet. Në jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë që qëndruan pranë nesh. Jemi mirënjohës aleatit tonë të përjetshëm, SHBA-ve, të cilët jo vetëm që na shpëtuan nga lufta gjenocidiale, por edhe i dhanë jetë vullnetit të popullit tonë për liri dhe demokraci. Me zyrtarizmin e kësaj lidhjeje në mes të Kosovës dhe Izraelit kemi siguruar për të ardhmen një marrëdhënie që e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke mundësuar marrëdhënie të mira me të gjithë, duke hapur horizonte të reja bashkëpunimi me mbarë botën”, tha ajo.


Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi e cilësoi historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në mes të Kosovës dhe Izraelit, kryediplomati izraelit, tha se do të ndërtojnë ura në shumë fusha.

Sot jemi duke bërë histori. Jemi duke vendosur raportet diplomatike në mes Izraelit dhe Kosovës. Mendoj se kjo është hera e parë në histori që vendosen marrëdhëniet diplomatike nëpërmjet Zoom-it. Sot është mundësia që t’i rrisim marrëdhëniet tona me popullin e Kosovës, të cilët kanë raporte të ngrohta dhe miqësore me Izraelin…Marrëveshja e nënshkruar në Uashington  për progresin ekonomik në mes dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë si partner te rëndësishëm në Ballkan. Dua të promovoj marrëdhëniet bileterale në mes të Kosovës dhe Izraelit, të ndërtojmë ura në shumë fusha, duke përfshirë mjekësinë, turizmin , inovacionin, ekonominë, shëndetësinë, pothuajse të gjitha fushat ku do te mirëkuptohemi. Sot po i nënshkruajmë edhe dy marrëveshje shtesë,  e para sa i përket politikës  dhe tjetra në lidhje me partneritetin me agjencinë ndërkombëtar për zhvillim Mashav”, tha ai.

Formalizmi i njohjes së sotme nga Izraeli erdhi pas marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.