Kosova dhe BE-ja diskutojnë për bujqësinë

Kosova dhe BE-ja diskutojnë për bujqësinë

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisioni Evropian u takuan në mënyrë virtuale për të diskutuar zhvillimet në fushat e bujqësisë, produkteve të përpunuara bujqësore, zhvillimit rural, peshkimit, sigurisë ushqimore, si dhe në çështjet veterinare dhe fitosanitare.

Gjatë takimit u rikujtua se standardet e BE-së duhet të zbatohen në praktikë në të gjitha nivelet: në kontrollin e importeve dhe eksporteve, regjistrimin e kafshëve, praktikat e rritjes së ushqimit, përpunimin e ushqimit, etiketim dhe tregti, thuhet në një komunikatë të përbashkët të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.

“Një numër i organeve të kontrollit janë të përfshirë në garantimin e këtyre standardeve, nga zyrtarët e shëndetësisë tek inspektorët, veterinerët dhe laboratorët. Këto janë krijuar pjesërisht në Kosovë me qëllimin për të siguruar zbatimin e standardeve të BE-së, dhe duhet të përforcohen”, thuhet në komunikatë.


Diskutimi u mbajt në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016.

Qeveria ka miratuar një numër ligjesh relevante, si dhe Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, por këto akte të reja legjislative duhet ende të miratohen nga Kuvendi.  

Diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian u përqëndruan në një gamë të gjerë temash, të cilat përfshijnë zhvillimet e politikave, legjislacionit dhe zbatimit në bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë, forcimin e kontrolleve të importeve për ushqime dhe kafshë, sistematizimin e futjes së të dhënave në bazën e të dhënave për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, përdorimin e tokës dhe konsolidimin e tokës, statistikat e importeve dhe eksporteve bujqësore, bujqësinë organike, si dhe performancën e institucioneve përgjegjëse për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.

Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA) është një kornizë e BE-në dhe Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.

Lexo edhe

Video