Kosova arrin rezultate mahnitëse në garën e skitarisë në Mal të Zi

Kosova arrin rezultate mahnitëse në garën e skitarisë në Mal të Zi

Një ditë e mbarë dhe me shumë suksese për Kombëtaren e Kosovës në skitari, e cila po merr pjesë në garat që po mbahen në Kollashin të Malit të Zi, disiplina e sllallomit dhe sllalomit të madh.

Në garën e sotme në sllallomit të madh, Kiana Kryeziu, u bë femra e parë që përmbush një nga pesë kriteret e nevojshme për normë olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022. Për ta fituar normën për Pekin 2022, Kianës i duhen edhe katër rezultate të tilla në sllallom të madh, deri më datën 16 janar 2022. Një garë tjetër e ka nesër, pikërisht në Kollashin. Në këtë konkurrencë, Arba Pupovci, doli e dhjeta.

Kryeziu zuri vendin e katërt nga 17 garuese, duke mbledhur 148.61 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). Koha e saj ishte 2 minuta e 02.00 sekonda.


Sukses arriti edhe Arbi Pupovci, i cili kompletoi kriteret për normën olimpike edhe në sllallom të madh. Ai zuri vendin e nëntë nga 33 garues, konkurrenca e meshkujve, duke mbledhur 114.08 pikë të FIS-it. Koha e tij ishte 1 minutë, 54.84 sekonda. Arbi normën e ka edhe në disiplinën e sllallomit.

Drin Kokaj përmbushi kriterin e parë për normë olimpike edhe në sllallom të madh, duke mbledhur 148.80 pikë. Ai doli i 12-ti me kohë 1:58.64.

Përzgjedhësi i Kosovës, Agim Pupovci ka thënë se rezultatet e sotme, janë fryt i përgatitjeve dhe punës intensive të bërë gjatë vitit 2021 me garuesit, për çka pret që edhe nesër (e enjte), në garën e fundit për këtë vit, të përsëritet suksesi i sotëm.

Gara për normën olimpike Pekini 2022 mbyllet më 16 janar 2022.

Lexo edhe

Video