Koronavirusi në Kosovë – masa mbrojtëse gjithandej

Koronavirusi në Kosovë – masa mbrojtëse gjithandej

Aktualisht në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me koronavirus, duke bërë që të shtohen masat e sigurisë në pikat kufitare.

KosovaPress vizitoi qytetin e Prizrenit. Sikur edhe në qytetet tjera të vendit, edhe këtu kafenetë, restorantet, bizneset e shumë dyqane ishin të mbyllura sipas masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Rrugët e qytetit të Prizrenit ishin pothuajse të zbrazëta. Qytetarët e pakët që mund të shiheshin ishin ata që kishin dalë për të kryer blerje të artikujve ushqimorë.

Ata thonë se po zbatojnë hapat e rekomanduar nga qeveria dhe IKSHP-ja. Vanesa Braha, qytetare nga Prizreni thotë se është bërë panik, por që sipas saj duhet ruajtur qetësia dhe të mbahet niveli i higjienës.

Edhe Kujtim Vorfaj thotë për KosovaPress se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbrojtje nga koronavirusi. Ai shpreson se kjo gjendje do të kalojë shumë shpejt.

KosovaPress vizitoi edhe ekipet mjekësore të cilat janë dërguar për të kontrolluar udhëtarët në pikën kufitare në Vërmicë. Aty u tha se janë të pajisur me të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse.


Lebibe Hashani epidemiologe, thotë se në vikend nuk ka shumë udhëtarë që kalojnë në këtë pikë, përveç kamionëve me mallra.

Hashani tha për KosovaPress se kjo pikë është pajisur me të gjitha masat  nevojshme si dorëza, maska dhe dezinfektues.

E pyetur se pse nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, persona që kanë hyrë nga Italia përmes kësaj pike kufitare, ajo tha se vendimi i qeverisë ka qenë që ekipet mjekësore vetëm t’i anketojë dhe t’i matin temperaturat dhe asgjë më shumë.

Afrim Panxha shofer i kompanisë ‘Fam Gas’, prapa kamerave, tha se nuk kanë hasur në asnjë problem në pikat kufitare dhe se i janë nënshtruar kontrolleve të zakonshme dhe atyre që po bëhen për shkak të Koronavirusit.

Lexo edhe

error: