Koronavirusi mund të shkatërrojë placentën dhe të çojë në lindje të vdekura

Koronavirusi mund të shkatërrojë placentën dhe të çojë në lindje të vdekura

Hulumtimet e reja sugjerojnë se koronavirusi mund të pushtojë dhe shkatërrojë placentën dhe të çojë në lindje me foshnje të vdekura te gratë e infektuara.


Ky është një rezultat i pazakontë për çdo shtatzëni, por gratë me COVID-19 përballen me një rrezik të lartë. Autoritetet besojnë se vaksinimi mund të ndihmojë në parandalimin e këtyre rasteve.

Studiuesit në 12 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, analizuan indet e placentës dhe autopsisë nga 64 lindje të vdekura dhe katër të porsalindur që vdiqën menjëherë pas lindjes. Të gjitha rastet përfshinin gra të pa vaksinuara që kishin COVID-19 gjatë shtatzënisë.

“Studimi forcon provat nga raportet e rasteve të vogla dhe konfirmon se dëmtimi i placentës dhe jo infeksioni i fetusit është shkaku i mundshëm i shumë lindjeve të vdekura të lidhura me COVID-19”, ka thënë Dr. Jeffery Goldstein, një patolog në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern, ndonëse ai nuk ishte i përfshirë në studimin, i cili u botua të enjten në Archives of Patology & Laboratory Medicine.

Provat e mëparshme sugjerojnë se shanset për lindje të vdekur janë më të larta se zakonisht për gratë shtatzëna me COVID-19, veçanërisht nga varianti Delta.

Autori kryesor Dr. David Schwartz, një patolog i Atlantës, ka thënë se infeksione të tjera mund të depërtojnë në placentë dhe të shkaktojnë lindje të vdekur, zakonisht duke infektuar dhe dëmtuar fetusin. Një shembull i fundit është virusi Zika.


Ai dhe kolegët e tij donin të shihnin nëse ky ishte rasti me lindjet e vdekura te gratë me COVID-19. Por ajo që ata gjetën ishte pothuajse e kundërta: ishte placenta ajo që u infektua dhe u shkatërrua gjerësisht.

“Shumë nga këto raste kishin mbi 90% të placentës të shkatërruar, që është shumë e frikshme”, ka thënë Schwartz.

Placenta është një organ që formohet dhe ngjitet në mitër gjatë shtatzënisë. Ai lidhet me kordonin e kërthizës, duke siguruar oksigjen dhe ushqim nga qarkullimi i gjakut të nënës.

Virusi ka të ngjarë të arrijë në placentë përmes qarkullimit të gjakut, duke u bashkuar me qelizat e ndjeshme dhe duke shkaktuar depozitime proteinash, dhe një formë të pazakontë inflamacioni që bllokoi rrjedhën e gjakut dhe oksigjenin. Kjo nga ana tjetër çoi në vdekje dhe mbytje të indeve të placentës, thanë studiuesit.

Koronavirusi u zbulua gjithashtu në disa prej fetuseve, por dëshmitë e mbytjes në mitër tregojnë për dëmtimin e placentës si shkakun më të mundshëm të vdekjes, thanë ata.

Një raport i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në nëntor zbuloi se midis grave shtatzëna amerikane të infektuara me COVID-19, rreth 1 në 80 lindje ishte një lindje e vdekur.

Lexo edhe

Video