Koronavirusi, koha dhe rentgeni

Koronavirusi, koha  dhe  rentgeni

Është një lloj hajdutesh të cilët asnjëherë nuk goditen nga ligji, dhe të cilët nga njeriu vjedhin atë që është më e rëndësishmja: kohën”. (N.Bonoparta)

1.

Edhe përkundër të gjitha të këqijave, Covid 19 ka edhe anën pozitive- ai tashmë po shërben si rentgen për të parë saktësisht se si funksionon shoqëria njerëzore. Kështu tha para ca ditësh kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke potencuar se kjo pandemi është emergjenca më e rëndë shëndetësore, që nga themelimi i kësaj organizate!

Shpresat se pandemia Covid 19 do të jetë çështje javësh apo muajsh u venitën, duke ia lënë vendin realitetit dëshpërues, se kjo do jetë çështje shumë më e gjatë, deri në zbulimin e vaksinës. Një sfidë me të cilen njerëzimi duhet të mësohet të jetojë.

Dhe vërtetë, ashtu sikurse rëntgeni, edhe Covid 19 po tregon esencën e shoqërisë sot, po i tregon ato që deri tash nuk dukeshin qartë, ose i mbyllnim sytë per t’mos i parë fare, apo edhe bënim se nuk i shihnim. Po tregon: Pabarazitë e mëdha në shoqëri, rolin e politikave të mira publike në jetën e njerëzve dhe nevojën e rritjes së aftësisë reaguese të shtetit në menaxhimin e emergjencave si kjo. Po tregon se kryerja e punëve ad-hoc dhe mungesa e planifikimit është rruga më e shpejte dhe më e sigurtë drejt dështimit. Kjo po mundëson që të shohim mënyrën e ndërtimit të demokracisë, kulturën  tonë të debatit, hudhjen aq me lehtësi të forcës së argumentit ndaj argumentit të forcës, kërcnimin e lirisë së fjalës dhe shprehjes së lirë të ideve,  mungesën e kurajos intelektuale, dhe tulatjen e saj përpara veseve e antivlerave.  Dhe tentimi i rrëgjimit  të lirisë, si diçka në  dobi të vetëm  qarqesh të caktuara. Dhe, se si, mendimet e shëndosha të ndrydhura ndër vite ngelin nën sipërfaqe, kurse ato të sëmurat harlisen dhe engledisen tërë qejf në sipërfaqe.

Covid 19 sikurse rentgeni, po tregon se cili është roli i kohës në jetën e njeriut,  se si e përdorin atë, ata që janë mirë të organizuar, dhe se si e shpërdorin të pa organizuarit. Se si të parët reagojnë për të parandaluar shkaqet, kurse të dytët merren vajtueshëm me pasojat. Se si të parët u paraprijnë ngjarjeve, kurse të dytët pamëshirshëm rrëmbehen nga vorbullat e tyre. Se si shoqëritë e organizuara përcaktojnë qartë e pa ekuivoke prioritetet, kurse të dytët ngulfaten në konfuzion, mëri e llafe të kota në mes veti edhe në qastet më kritike duke rrahur gjoks si gjelat ngucakeq, dhe duke mos qenë në gjendje qe të kuptojnë se çka është më e rëndësishmja në momentin e dhënë. Se si të parët janë të bekuar me pasjen  e besimit e mirëkuptimit  të  ndërsjellë, kurse te të dytët ka krizë të thellë besimi, dhe ku askush nuk i beson askujt. Se si te të parët mbretëron harmonia, kurse te të dytët bën kërdi dyshimi.

2.

S’ka si të mos jetë e dhimbshme, kur njeriu sheh gjithandej në trojet shqiptare reagimin me vonesë për gjithçka. Mjafton të shihet se si p.sh. sot në Shqipëri, pas 12 vitesh diskutohet dhe pranohet se sa gabim ishte reforma zgjedhore e vitit 2008. Ose, se si në Kosovë njëzet vite pas fillimit të procesit të privatizimit, dhe kur pjesa më e madhe e tij ka përfunduar, në Parlament formohet një komision për të hetuar privatizimin. Edhe qëllimi  më i mirë i  këtij vendimi, nuk mund të justifikohet, sepse merresh me diçka e cila  është e kryer, dhe mbi të cilën më nuk ke  mundësi ndikimi, dhe për me tepër e humbë kohën e tashme dhe e rrezikon të ardhmen. Atëherë, pse, pse bëhen këto veprime të vonuara? A do të thotë kjo se edhe për ketë sfidë  të pandemisë kur rrezikohemi të kolapsojmë, do të debatojmë pas pesë apo dhjetë vitesh, duke gjetur tek atëherë se cila do te kishte qenë rruga më e mirë për t’u ndjekur? A jemi specialistë vallë për ‘gjetjen’ e zgjidhjeve të problemeve vetëm nga kohët e kaluara?

Qarqe të shumta, personalitete e njohura dhe mendimtarë gjithandej në botë deklarojnë se pas pandemisë njerëzimi do të frymojë krejtësisht ndryshe. Mirëpo, shtrohet pyeja, se a do të ndodhë kjo edhe te shqiptarët duke pasur këtë shprehi të reagimit me vonesë. Vallë, apo vazhdon që edhe në këto kohëra dramatike, mentaliteti ynë si komb të mbetet i pandryshueshëm dhe i pa përmirësueshëm: Dyshues, edhe per gjërat më evidente në nivel planetar, të vonuar në të kuptuarit edhe të gjërave kthjelltësisht  të qarta, indiferentë ndaj rreziqeve të skajshme dhe të robëruar nga shprehi të kota arkaike sikurse dashuria deri në adhurim e kafeneve!

3.


Në reagimet e vonuara për proceset e përfunduara ka gjithmonë nje arsyetim: Më mirë vonë se kurrë. Është kjo një thenie nga tradita e popujve tjerë, e cila ne rastet tona konkrete për veqse nje ngushëllim i vogël, nuk ka asnjë peshe. Thënë ndryshe ky është vetëm ngushëllim i humbësit. Sepse, këtu me nuk behet fjale per vonesën, por për te verteten, ose thënë më mirë për huqjen e saj. Dhe, ne tash mu ne vlugun e pandemisë kuptojmë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën dhe pajisjen e vobektë të spitaleve, kuptojmë mungesën e sigurimeve shëndetësore. Kuptojmë tek tash se cila është gjendja me punetorët shëndetesorë, se si pika me e ndjeshme e këtij sistemi është mungesa e anesteziologëve, infektologëve, epidemiologëve. Kuptojmë se Kosova ka vetëm 5 anesteziologë në 100 000 banorë, përderisa për krahasim p.sh. Mali i Zi i ka 12, kurse Austria 40 anesteziologë në 100 000 banorë.

Kuptojmë të vërtetën, relativitetin e vlerës së gjërave, kur jeta e njeriut varet nga një ilaç apo respirator, dhe kur bëhet nul vlera e një autostrade apo objekt luksi. A po e kuptojmë të vërtetën e rrezikut katastrofal në prag të derës? Si mund të shtrohet vallë dilema për përfitim fitim materjal kundrejt rrezikimit të jetës?

4.

A është e vërteta e kuptuar me vonesë ende e vërtetë? A  ka ndonjë vlerë të kuptuarit e diçkaje 5, 10 apo 20 vite më vonë? Vështirë, por edhe nëse ka mbetur aty një thërmi e së vërtetës, ajo tashmë nuk ka vlerë. Përkundrazi, mund të sjelle vetëm konfuzion, dëshpërim dhe huti në veprime.

Është thuajse njejtë, sikur të kesh kuptuar tek pas njëzet vitesh vuajtjeje dhe sfilitjeje për ujë, se në oborr, mu para hundës ke një burim të vlefshëm uji, por që nuk e ke përdorur.

Për këtë arsye të kuptuarit e së vërtetës me vonesë është një nga të këqijat e mëdha që mund t’i ndodhin njeriut në jetë. Është një nga shkaktarët e konfliktit me vetëveten dhe vend numërimit e prapambetjes, të humbjes së lirisë dhe të rrugëtimit pa krye drejt honeve të thella të greminës, theqafjes, dhe të mungesës së zhvillimit. Është shkaktari i gremisjes së lumturisë, duke bërë që njeriu të jetojë një jetë ferri.

Kjo vijë ndarëse në mes të të kuptuaritr të së vërtetës  me kohë, apo të kuptuarit e saj me vonesë, është kufiri ndarës në mes të prosperitetit dhe parapambetjes, në mes rrezatimit  të qytetarisë dhe kundërmimit të kërcejve të egërsisë, në mes të dijes dhe  padijes, në mes të vesit dhe virtytit, ne mes të parajsës dhe  ferrit të moçalit e humbëtirës.

Ndryshimi në mes njerëzve, shoqërive e kombeve, nuk është se ndodhë vetëm për shkak të gjërave të mëdha. Në fakt, diferencat fillojnë që nga detajet më të vogla.

5.

Fotografimi rentgen është vërtetë një pasqyrim i shkelqyeshëm i gjendjes së organizmit. Mirëpo, vlera e tij e vërtetë do të bëhet zero, po qe se nuk  përdoret nga mjeku për diagnozë dhe shërim të pacientit të sëmurë.

Lexo edhe

Video

error: