Koronavirusi, bizneset kërkojnë mbështetjen e Qeverisë dhe BQK-së

Situata e krijuar me pandeminë koronavirus edhe në Kosovë, ka bërë që komuniteti i biznesit të kërkoi shtyrjen e të gjitha pagesave nga bizneset pa interes dhe pa penallti për një afat 3 mujor, për bankat e Kosovës dhe në të gjitha institucionet tjera të qeverisë që nuk prekin vitalitetin e funksionimit të shtetit.

Banka e Shqipërisë ka vendosur të shtyjë deri në 3 muaj pagesën e kësteve të kredive për individët dhe bizneset të cilët nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet për shkak të mbylljes, si pasojë e masave të marra për izolimin e koronavirus, ndonëse në Kosovë ende Banka Qendrore e Kosovë(BQK) nuk ka marrë një hap të tillë.

Sipas saj, BQK ka stabilitet financiar dhe si rrjedhojë BQK nuk do të merr ndonjë masë të re.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se BQK-ja duhet me hartua një plan të caktuar për ri-programim të kredive.

Ai po ashtu ka kërkuar nga Qeveria që të asistohen financiarisht bizneset që munden me u ndikuar prej mungesës së fuqisë punëtore. Sipas tij, shumë biznese do të kenë problem me mbajtjen e fuqisë punëtore, ndaj Qeveria duhet me krijuar mekazima për mbështetje financiare si kompensim të humbjes së bizneseve.

Ndërsa, zëdhënësi i BQK, Kushtrim Ahemti thotë për KosovaPress, se Banka Qendrore po përcjell me vëmendje masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe konform këtyre masave, BQK-ja ndërmerr veprimet e saj.


“Aktiviteti ekonomik në Kosovë është duke funksionuar në suaza normale dhe se masat e parapara nga Qeveria e Republikës së Kosovës sigurojnë kontinuitet të rregullt të aktivitetit ekonomik. Si rrjedhojë, BQK nuk ndërmerr ndonjë masë të re. Sa i përket likuiditetit në vend, Sektori Bankar në Kosovë vazhdon të jetë ndër sektorët me likuiditetin më të lartë në rajon dhe më gjerë”, tha Ahmeti.

Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK) kërkon mbledhje urgjente të Qeverisë për masat mbrojtëse ndaj biznesit.

“Në mbledhjen urgjente të realizuar nga bordi i Odës së Afarizmit të Kosovës unanimisht u kërkua ripërsëritja e kërkesës së e bërë para dy ditëve për marrjen e masave urgjente mbrojtëse për efektet që mund të shkaktohen nga virusi COVIT-19, duke marrë parasysh zgjerimin e shpejtë që është duke ndodhur në vendet e rajonit. OAK përshëndet vendimet e mbrëmshme të Qeverisë për masat mbrojtëse dhe kërkon që të ketë masa të merren edhe për bizneset dhe punëtorët që do të detyrohen të mungojnë në procesin e punës gjatë ditëve në vijim”, thuhet në komunikatën e OAK.

Për më tepër, OAK ka potencuar ashtu siç e kemi potencuar se kjo pandemi mund të shkaktojë vështirësi financiare çoftë në pagesë të tatimeve, pagave apo kredive.

Oda e Afarizmit kërkon që Qeveria të merr masa për shtyrjen e mundshme të tatimeve dhe kredive ndërsa bizneset që do të pësojnë dëme nga kjo pandemi të gjendet mënyra e kompensimit të tyre.

Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti me anë të së cilës ka kërkuar që si masë parandaluese për koronavirusin të shtyhen të gjitha pagesat nga bizneset pa interes dhe pa penallti për një afat 3 mujor, për Bankat e Kosovës dhe në të gjitha institucionet tjera të qeverisë që nuk prekin vitalitetin e funksionimit të shtetit.

Lexo edhe

Video