Korisha futet në karantinë, Haskuka paralajmëron dënime për ata që nuk i respektojnë masat

Në komunën e Prizrenit deri më tani janë regjistruar tri raste me virusin COVID-19. Rasti i tretë u shfaq mbrëmë dhe është nga fshati Korishë. Por shqetësues mbetet fakti se personeli i IKShP-së nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit.

E për këtë qëllim i tërë fshati Korishë është futur në karantinë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për KosovaPress ka bërë të ditur se me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat.

“Për shkak të mungesës së historisë së infektimit është marr vendim nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShP-ja që Korisha të shpallet zonë e karantinës. Nga mbrëmë ekipet e policisë janë në hyrje-dalje të fshatit. Unë e kuptoj që paraqet një problem për banorët e këtij fshati, por kjo është një masë e domosdoshme për të mirën e të gjithëve”, thotë Haskuka.

Haskuka ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pasur probleme sa i përket materialit mbrojtës për personelin mjekësor, por ka shtuar se nëse vazhdon rritja e rasteve, do të hasin në vështirësi.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe të zbatojnë në përpikëri këshillat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, pasi që konsideron se kjo është mënyra e vetme për të parandaluar këtë epidemi.

Problemet që i ka Kosova në sektorin e shëndetësisë, po ato janë edhe në komunën e Prizrenit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe pajisje mbrojtëse i kemi. Por nëse shtohet numri i rasteve do të ketë probleme. Atëherë duket të ketë më shumë mjete mbrojtëse, por shpresoj se në ndër kohë do të vijnë edhe pajisej të reja dhe shpresoj që do të jemi të përgatitur. Më shumë se ndaj MSh-së unë kam kërkesa ndaj qytetarëve. Po bëhen më shumë se tri javë që kur kanë filluar masat e vetëizolimit, por shumë qytetarë kanë filluar të relaksohen. Por unë kam një apel që këto raste që po lajmërohen tregojnë se këtë virus nuk duhet ta marrim me relaks por me seriozitetin e njëjtë siç kemi qenë në ditët e para. Të mbajnë distancën sociale, të rrimë në shtëpia sa më shumë që mos të rrezikojmë vetën dhe familjet tona”, thotë ai.

Përvec qytetarëve, Haskuka ka kërkuar edhe nga bizneset që të respektojnë vendimet e qeverisë dhe të mos operojnë pas orës 17:00, ndërsa ato që janë në listën e të mbyllurave të mos tentojnë të ofrojnë shërbime.

Thotë se deri më tani janë evidentuar 5 raste ku operatorët specifikë kanë shkelur masat dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë e rregullt.


“Masat janë respektuar shumë mirë deri tani. Dua të them se në ditët e kaluara ka pasur arrestime. Vetëm mbrëmë nuk ka pasur asnjë arrestim. Policia e Kosovës është duke e kryer detyrën e tyre. Në përgjithësi bizneset që kanë nevojë për qarkullim janë pajisur me leje për lëvizje nga ana e institucioneve përkatëse. Ndërsa ata që nuk kanë nevojë nuk duhet të dalin pas orës 17. Deri më tani unë marr raporte ditore nga inspektorati dhe policia. Respektimi i masave ka qenë i mirë, por dua të theksoj se në 5 raste operatorët specifikë, pronarët e kafiterive dhe restoranteve përkundër masës janë nisur proceduar ndaj tyre. Kushdo që shkel këto rregulla do të ballafaqohen me drejtësi”, thotë ai.

Mirëpo, Haskuka e pranon se këto masa kanë ndikuar negativisht në aspektin ekonomik dhe se tashmë qytetarët po i vërejnë pasojat.

Shpreson se pakoja emergjente e miratuar nga Qeveria do të zbusë sado pak gjendjen e punëtorëve, teksa tha se edhe si komunë do të ndërmarrin disa masa për të ndihmuar bizneset, por edhe qytetarët në raste të rënda ekonomike.

“Këto masa kanë ndikuar negativisht në aspektin ekonomi. Shumë qytetarë që kanë pasur të ardhura mujore, për shkak të pamundësisë të punojnë janë në situatë të vështirë ekonomike. Ne kemi bërë shpërndarjen e 800 pakove ushqimore, por do të shikojmë mundësinë3 se si të vazhdojmë këtë ndihmë ngase ka shumë kërkesa nga qytetarët. E di që nuk do të arrijmë t’i përmbushim të gjitha kërkesat, por po mundohemi sidomos rastet shumë të vështira t’u ndihmojmë atyre. Pakoja fiskale mendoj që është shumë e qëlluar dhe do t’u ndihmojmë të gjitha bizneseve se si të aplikojnë për të përfituar. Por edhe komuna jonë është duke analizuar situatën lidhur me shfrytëzimin e hapësirave publike të komunës. Sepse shumë lokale të cilët kanë pasur pagesa për shfrytëzimin e hapësirave publike për shkak se nuk kanë punuar mendoj që nuk është e drejtë të kërkojmë pagesë nga ta”, thotë ai.

I pari i Prizrenit bën të ditur se deri më tani kanë ndarë 250 mijë euro, për të përballuar situatën epidemiologjike, ndërsa shtoi se këto ndihma do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi që disa projekte që janë pezulluar, mjetet e tyre janë transferuar në masat emergjente.

“Deri më tani i kemi ndarë 250 mijë euro për të tejkaluar këtë situatë, por nëse paraqitet nevoja do të ndajmë edhe më shumë. Këtu hyn sigurimi i pakove ushqimore, dezinfektimi, blerja e maskave dhe dorëzave, pro edhe por edhe i pajisjeve të tjera parandaluese për shërbimin primar shëndetësor. Si komunë kemi pasur disa projekte në mallra dhe shërbime por për shkak të zhvillimeve nuk do të kemi mundësi t’i vazhdojmë dhe të gjitha këto fonde i kemi transferuar në këto masa emergjente”, thotë ai.

Ai në fund ka apeluar që të respektohen këshillat e profesionistëve, që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, sepse deri më tani Kosova është vendi që ka më së pakti qytetarë të infektuar.

 

Lexo edhe

Video