Koqinaj: Shteti duhet t’iu paraprijë fatkeqësive me vlerësime dhe masa

Koqinaj: Shteti duhet t’iu paraprijë fatkeqësive me vlerësime dhe masa

Situata e krijuar si shkak i vërshimeve, po konsiderohet vështirë e riparueshme. Pavarësisht se dëmet ende nuk janë vlerësuar, ato konsiderohen të mëdha në amvisëri, biznes e ekonomi. Ndërkohë, po kritikohen edhe institucionet për mostrajtim të duhur të fatkeqësive në fazën para se të ndodhin ato.

Përgjegjësi për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Marrëdhënie me Publikun në Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, Nehat Koqinaj për KosovaPress thotë se Kosova ditëve të fundit është përballur me gjendje alarmante, por që aktualisht ka filluar të qetësohet.

“Sa ka bërë keq kjo fatkeqësi, strukturave dhe qeverisë ose gjithë vendit, gjithë kapacitetet vendore ia hap sytë për veprimet ose zhvillimet e mëtutjeshme ose në të ardhmen. […] Fatkeqësitë të trajtohen në faza para se ato të ndodhin. Që do të thotë vlerësimin e rrezikut në tërësi dhe masave, veprimeve dhe investimeve në nivel shteti dhe vendi në kuptimin e zvogëlimit të dëmeve, qoftë në infrastrukturën kritike”, thotë ai.

Koqinaj thekson se të reshurat e borës mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes.

“E ndihmon situatën në kuptimin e zvogëlimit të vërshimeve apo daljes së lumenjve nga shtretërit dhe vërshimeve të bujshme të cilat ndodhën nga data 8 dhe ditëve në vijim. Zonat më të prekura në fillim ishte zona e Dukagjinit, Gjakovë, Rahovec, Malishevë, Suharekë, Deçan natyrisht edhe zona e Pejës, pa përjashtuar edhe rrethin e Prizrenit. Ndërsa, ditëve në vijim ajo u bart në të gjithë Kosovën, u shtri edhe pse e kishim paralajmërimin nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës se lumenjtë kryesorë kanë gjasë të përballojnë fluksin e ujit dhe nuk do të paraqesin rrezik për njerëzit ose në habitatet përreth shtretërve të lumit”, thekson ai.


Koqinaj thotë se këto dëme do të marrin kohë shumë për sanim.

“Sanimi ose rehabilitimi i tyre do të kërkojë kohë dhe do të kërkojë investime të konsiderueshme”, shton ai.

Koqinaj thotë se është herët të vlerësohen dëmet e shkaktuara, meqë gjendja ende nuk është qetësuar tërësisht.

“Për afatin kohor kjo do të varet prej qeverive lokale sepse ato e kanë autorizimin të ngritin kapacitetin e vet në Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve, të cilët duhet të jenë me një përbërje të larmishme të gjithë spektrit në kuptimin e vlerësimit adekuat nga infrastruktura, dëmet në ekonomi familjare, në biznes e në ndërmarrje”, theksoi Koqinaj.

Veç tjerash, Koqinaj thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes gjatë konsumit të ujit të pijes, meqë sipas tij gjatë këtyre ditëve është kontaminuar pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet. Ndërkohë për KosovaPress ai flet edhe për punën e tyre gjatë këtyre ditëve, për çka thotë se ekipet e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent janë në gatishmëri për të shërbyer.

Lexo edhe

Video

error: