Konvertimi i patentë-shoferëve, Kurti: Serbët bënë hap të rëndësishëm drejt integrimit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka deklaruar se qytetarët serbë të Kosovës kanë reaguar në masë të madhe ndaj thirrjes për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë në ato të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të tyre në institucionet e Kosovës.
Albin Kurti ka shkruar në Facebook se janë bërë gjithsej 6 mijë e 509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.
“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok”, ka shkruar Albin Kurti.
Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht.
“Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë. Qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti”, ka shkruar Kurti.
https://kosovapress.com/edhe-dy-dite-afat-ky-eshte-numri-i-patente-shofereve-te-konvertuar-ne-rks