Për të dytin vit me radhë është mbajtur tribuna tradicionale “Gruaja, bazament lirie” që i dedikohet rolit të gruas shqiptare në periudha të ndryshme kohe për vendin. Vitin e kaluar tribuna ishte mbajtur në Shkup, ndërsa këtë vit u organizua në Suharekë me temën “Prometheizimi i gruas për liri” ku kontribuuan 10 referues.
Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Berisha, deklaroi se roli i gruas shqiptare është më i gjerë sesa vetëm në edukimin dhe kujdesin e fëmijëve dhe siç e ka emrin tribuna, është bazament i lirisë së Kosovës."Komuna e Suharekës ua ka pasur borxh grupit të vajzave nga Suhareka e më gjerë t’ia bëjë një organizim të tillë si dhe t’i falënderojë për të gjithë kontributin, punën që e kanë bërë për komunën tonë dhe për shtetin tonë... Gruaja meriton më shumë, gruaja është dhe vetë tema e kësaj tribune ‘Bazament lirie’, është baza e lirisë dhe kontributi i saj nuk është vetëm në rritjen dhe edukimin e fëmijëve por edhe më gjerë", tha ajo.
Organizatorja e kësaj tribune, aktivistja e çështjes kombëtare, Zyrafete Kryeziu Manaj, theksoi se kjo tribunë ka karakter informativ.“Kemi gra nga të gjitha trevat shqiptare, nga Zvicra, Gjermania, Maqedonia dhe e kanë fuqizuar tribunën me prezencën e tyre. Kjo tribunë ka karakter informativ, sidomos për gjeneratat e reja, e që është duke i njoftuar me rëndësinë dhe rolin që ka pasur gruaja shqiptare në periudha kohore... Përmes punës së shumë organizatave ilegale, populli është vetëdijesuar në mënyrë masive dhe kemi ardhur deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe tek liria e Kosovës. Kjo tribunë çdoherë do të ketë shtyllë kryesore rolin dhe rëndësinë e gruas shqiptare gjatë periudhave të ndryshme", u shpreh ajo.
Në këtë tribunë, një monolog emocionues pati edhe Zelije Ramadani, që solli përmes vargjeve vuajtjet gjatë kohës së regjimit serb.