Kontestohet përzgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të KPM-së

Përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media ka ngritur shqetësime tek shoqëria civile dhe të juristë të së drejtës së medias, pasi është bërë pa prezencën e mediave dhe monitorimin e tyre.

E para që reagoi ishte juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, e cila e quan top-sekret intervistimin e kandidatëve të anëtarëve të bordit të KPM-së.

Ajo thotë për KosovaPress se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së duhet të kthehet në pikën zero, përndryshe thekson se secili anëtar i zgjedhur nga proceduara e mëhershme është jolegjitim.

Sipas saj, është e çuditshme që nuk ka pasur njoftim në faqen e Kuvendit të Kosovës, lidhur me intervistimin e këtyre kandidatëve.

“Nuk është e qartë se çfarë e ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje që t’i organizojë këto intervista në këtë mënyrë, por kushdo që zgjidhet anëtarë i KPM-së në këtë procedurë nuk do të jetë legjitim. Shpresoj që deputetët do të reflektojnë dhe do t’i përsërisin intervistat ose do të shpallin konkursin nga fillimi që të sigurohemi që e tërë procedura zhvillohet në mënyrë sa më transparente”, thotë ajo.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, duke thënë se është shumë mirë kur ka reagime dhe kërkesë për transparencë por është shumë keq kur këto nuk shpërfaqin të vërtetën e plotë.

Ajo ka publikuar disa fotografi të komunikimit që ka pasur me Kusarin.


“Sot pashë në mëngjes një status të znj. Flutura Kusarit, ku referohet në intervistat e anëtarëve të Bordit të KPM-së, si një proces TOP SEKRET. Kështu, ajo bën thirrje që të reagojnë organizatat joqeveritare dhe të gjithë akterët relevant, dhe në fund e përmbyll thirrjen e saj duke theksuar se përgjegjësia bie mbi mua, anëtarët tjerë të VV dhe dy anëtarët e komunitetit jo shumicë. Për një arsye apo tjetrën, vendos t’i kursej dy anëtarë të opozitës që gjithashtu kanë marrë pjese në intervistim. Mirë shumë që kemi reagime dhe kërkesë për transparencë. Por, shumë keq kur këto nuk shpërfaqin të vërtetën e plotë. Shumë keq, kur reagimet e tilla thirren në ngritje të transparencës por kanë për qëllim sulmin e një procesi pa i shpalosur të gjitha informatat lidhur me procesin. Dje, znj. Kusari më ka dërguar në mëngjes një e-mail të cilin ia kam kthyer brenda pak orësh. Komunikimin tim me të, e gjeni në fotot e bashkëngjitura”, thuhet në reagimin e saj.

Tutje, Kica-Xhelili ka sqaruar edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të Komisionit të Pavarur për Media, për çka ka thënë se komisioni ad-hoc është themeluar në seancë plenare dhe se, siç i ka konfirmuar edhe administrata, shton ajo, palët e interesuara kanë mundur të lajmërohen për pjesëmarrje në intervistim.

Në anën tjetër, është deputetja e AAK-së, njëherësh anëtare e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së, Albana Bytyqi, e cila thotë se në komision është diskutuar lidhur me prezencën e mediave gjatë intervistimit, porse për shkak të ofrimit të komoditetit për të intervistuarit ishte marrë vendim që kjo të bëhet pa prezencën e mediave. Vendim ky që sipas saj, ishte i pozitës.

“Unë sot gjatë ditës kam pasur telefonata të ndryshme, ku ka pasur pyetje ‘pse nuk i keni ftua mediat, pse nuk e keni thirr shoqërinë civile’. Valon Ramadani, kryesues i komisionit ka cekur që ‘ne nuk kemi nevojë me i thirr mediat përderisa kemi intervistim të kandidatëve dhe kandidatët po ndjehen të stresuar dhe kanë emocione, mos t’iu bëjmë më shumë presion se nuk po ndjehen rehat’. Dhe, ne kemi hesht dhe nuk e kemi çuar më gjatë këtë çështje ku pozita veç vendosi… Ishim veç dy deputetë [nga opozita], unë nga Aleanca dhe Armend Zemaj nga LDK, nuk e bëmë më të madhe sepse pozita veç vendosi ashtu… Kur se kemi fuqinë e votës nuk mundemi me e ngritë si çështje”, thotë ajo.

Megjithëkëtë, Bytyqi shton për KosovaPress se intervistimi i kandidatëve ka shkuar shumë mirë.

“Intervistimi i kandidatëve ka shkuar shumë mirë, ku kandidatët të cilët janë vlerësuar me pikë maksimale i kemi çun në Kuvend dhe tash në seancë po presim me i votua”, thekson ajo.

Komisoni ad-hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së përbëhej nga Valon Ramadani, kryetar dhe antëtarët: Armend Zemaj, Fidan Jilta, Doarsa Kica – Xhelili, Nijazi Isaku, Fitim haziri, Besim Muzaqi, Blerta Deliu-Kodra, Floretë Zenjullahu, Sllavko simiq dhe Albana Bytyqi.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: