Konjufca: Synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE e NATO

Konjufca: Synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE e NATO

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca deklaroi sot se Kosova është e përcaktuar qartë për integrimet evropiane dhe NATO, veçanërisht në këto kohë të vështira, pas agresionit të paprovokuar dhe brutal ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Ai gjatë një takimi me diplomatë të karrierës së shteteve të ndryshme, ka folur për progresin e Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve pakicë, që shtetin tonë e renditin krah shteteve të BE-së.

Para diplomatëve të 33 shteteve nga e gjithë bota, kryetari Konjufca tha se u desh shumë kohë që të arrihet pavarësia dhe ndërtimi i shtetit.


“Sidomos ato vitet 1990-1999 ishin shumë të tmerrshme, sepse ne, sapo kaluam nga aparteidi i  regjimit të Millosheviqit në gjenocidin e qartë të ushtruar mbi popullin tonë nga policia ushtarake dhe forcat paramilitare të shtetit të Serbisë. Pra, më kujtohen shumë mirë vitet e 90-ta, pastaj erdhi çlirimi dhe misioni i Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2008, dhe tani po përjetojmë këtë fazë që ne e quajmë pas-pavarësi, le të themi epokë në vendin tonë, që është shumë e rëndësishme. Tani kanë kaluar 14 vjet nga shpallja e pavarësisë dhe ne po ecim përpara”, tha Konjufca.

Ndërsa, përfaqësues të diplomatëve të karrierës shprehën mirënjohjen e tyre për mundësinë  që u është dhënë me  Shkollën Pranverore për Diplomatët e Rinj dhe për përvojën e tyre në Kosovë.​

47 diplomatë të karrierës po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj, që organizohet çdo vit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lexo edhe

Video