Konjufca: Serbia përmes Ballkanit të Hapur realizon interesat e veta ekonomike

Konjufca: Serbia përmes Ballkanit të Hapur realizon interesat e veta ekonomike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka deklaruar se përmes nismës rajonale Ballkani i Hapur shteti i Serbisë dëshiron të realizojë interesat e veta ekonomike.

Ai në Context të ATV-së ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë pranuar të hyjnë në Ballkanin e Hapur pa e menduar mirë nga ana konceptuale.

“Ballkani i Hapur është mekanizëm që Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk e kanë konceptuar. Unë mendoj se ato janë pjesëmarrëse të Ballkanit të Hapur”, tha ai.


Ndryshe, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës Ballkani i Hapur.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë më herët se Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nisma nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept më 2019 për krijimin e një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Lexo edhe

Video