Konjufca kërkon verifikimin e marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë

Konjufca kërkon verifikimin e marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka kërkuar sot nga institucionet e vendet të bëjnë një verifikim të kujdesshëm të marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë.

Në tryezën e KDI-së me kryetarët e komisioneve parlamentare mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë – Serbi, Konjufca tha se Serbia po përdorë standarde të dyfishta, duke mos implementuar marrëveshjet sikur ajo e diplomave, derisa kërkon themelim të asociacionit të cilën Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.

“T’i thërrasim edhe një herë mendjes që institucionet e Kosovës, nuk janë këtu thjesht për ta rivlerësuar sa janë të domosdoshme implementimi i marrëveshjeve. Po ashtu edhe për të argumentuar që ato që quhen ngecje, nuk duhet të shihen si të tilla, por si një lloj verifikimi edhe të njëhershëm me shumë kujdes i asaj që është arritur, i asaj që është nënshkruar me disa shpjegime të atëhershme që këto do ta sjellin integrimin e shpejtë në integrim evropian”, tha Konjufca.

Ndërsa pala serbe këmbëngulë në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Konjufca ka kujtuar se marrëveshja për asociacionin i shkelë fondamentet Kushtetuese të Kosovës.

“Këto janë ndoshta edhe standardet e dyfishta që mund t’i identifikojmë në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo çfarë Serbia po konsideron si një pozicionim strategjik, se ne do të na kërkoj ato që janë nënshkruar, e ne faktikisht përmes institucioneve tona dhe rendit kushtetuese i kemi hedhur poshtë sepse vërtet marrëveshja për ‘Zajednicën’ ka qenë e tillë, i ka shkelë fundamentet kushtetuese të Kosovës. Ata me të njëjtin argument dëshirojnë të përfitojnë diçka në dialog në raport me ne, ku vetë me metodat e njëjta kanë pasur qasje për marrëveshje të caktuara. E përmenda unë marrëveshjen e diplomave”, tha Konjufca.


Ndërsa, kryetari i komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi  tha se institucionet e vendit nuk do të pranojnë marrëveshje që dëmtojnë interesin, pavarësisht çmimit të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

“Kosova ka pranuar marrëveshje të dëmshme të cilat kanë shkuar deri në fund gatishmërinë e Kosovës për të mbetur palë konstruktive. Kjo ka ndryshuar, më nuk mund të pranohen marrëveshjeve që e dëmtojnë interesin e vendit, pavarësisht çmimeve që duhen të paguhen në kuptimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit”, tha Abazi.

Ndërsa Jeta Krasniqi nga KDI ka kërkuar të ketë më tepër transparencë sa i përket ecurisë së procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Synimi jonë ka qenë transparenca, pasi ky proces nuk shquhet për transparencë të madhe duke e ditur se është një proces konfidencial. Ka ende marrëveshje që nuk janë plotësisht të zbatuara, siç është plani për marrëveshjen e drejtësisë, i cili nuk është ende publik”, tha Krasniqi.

Gjatë ditës së sotme ka rifilluar dialogu Kosovë-Serbi, ku kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lexo edhe

Video