Konjufca i reagon deputetes së LVV-së: Këto terme janë të padrejta

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi tha se është kundër projekt-kodit civil, e cila lejon bashkësinë e regjistruar civile mes personave të gjinisë së njëjtë.

Sipas saj, çdo lidhje jashtë kombinimit të gjinive të kundërta konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Për këtë ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se terme të tilla janë të padrejta.

Në seancën ku po trajtohet projekt-kodi civil, deputetja Labinotë Demi-Murtezi tha se një nga arsyet që kundërshton një gjë të tillë është mbrojtja e moralit publik.


“Arsyeja e parë për të cilën mendoj se është më mirë që të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar civile mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik. Secili shtet flet për vete se cili është standardi i moralit shoqëror në atë shtet. Standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën ndërmjet mes gjinive të kundërta. Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”, ka deklaruar ajo.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka kërkuar që të mos përdoret ky diskurs, duke thënë se terma të tilla janë të padrejtë.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të mbrojtur prej diskriminimit dhe prej paragjykimeve. Prandaj mendoj që nëse në diskursin tonë për njerëz të cilët kanë orientime të ndryshme seksuale ndaj nesh, përdorim terma si ‘shthurje’, ‘degjenerim moral’ dhe ‘sëmundje’, unë mendoj që janë të padrejta dhe jam kundër këtij diskursi”, tha Konjufca.

Lexo edhe

Video