Konjufca: Gjykata Speciale absolutiste, ka nevojë për mekanizëm kontrolli

Absolutiste dhe hermetikisht të mbyllur e ka quajtur Gjykatën Speciale kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Pas kthimit nga Haga ku ka takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kreu i legjislativit ka thënë se kjo gjykatë nuk i është dukur e Kosovës dhe ka deklaruar që institucionet e Kosovës duhet të koordinohen në mënyrë që të vijnë deri të një koncept për një mekanizëm demokratik të kontrollit mbi këtë gjykatë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kransiqi e Rexhep Selimi mbesin me shëndet të mirë dhe të fortë me vullnet, ka thënë kështu Glauk Konjufca i cili ka shtuar se shqetësimi i tyre janë shkelet që pretendohet se po u bëhen atyre në Speciale.

“Të gjithë që i pash janë mirë me shëndet, janë shumë të fortë me vullnet edhe janë shumë të qëndrueshëm, natyrisht shqetësimi i tyre, dhe i mbrojtjes së tyre, është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura për të cilat absolutisht nuk po ka kurrfarë mekanizmi të ankesës dhe i cili i shqyrton këto shkelje kur po ndodhin. Kjo është pikërisht për shkak të asaj që unë e shpjegova, kjo gjykatë është absolutiste, kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt, kjo gjykatë madje nuk kanë mekanizëm as shtetet të cilat e financojnë me para këtë gjykatë dhe prej të cilave i marrin rrogat gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës pra në këtë kuptim natyrisht ata janë të pakënaqur ashtu siç është i pakënaqur edhe krejt populli i Kosovës për arsye se aktakuza e cila rëndon mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së si të tillë, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka qenë institucioni më i rëndësishëm i UÇK-së”, ka thënë Konjufca.

Por sipas Konjufcës, një mekanizëm kontrolli mbi Specialen nuk po shihet askund në horizont.

“Mënyra se si po funksionon kjo gjykatë me thënë të drejtën është një gjykatë absolutiste, kjo gjykatë nuk i jep llogari kurrkujt, kështu nuk ka kurrkund në botë, mos me i dhënë llogari kurrkujt, ajo për të cilën mendoj që kjo gjykatë për të qenë e ndershme, për të qenë gjykatë në përputhje me drejtësinë, për të qenë gjykatë e drejtësisë e jo gjykatë e politikës, ka nevojë për një mekanizëm të kontrollit, ka nevojë për një mekanizëm të llogaridhënies e ky mekanizëm i llogaridhënies nuk po shihet askund në horizont, bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon këtë mekanizëm të kontrollit ndaj Gjykatës Speciale, Kosova nuk e ka kurrfarë mekanizmi që e kontrollon dhe ndaj të cilit jep llogari Gjykata Speciale por në anën tjetër Kuvendi është themelues i kësaj gjykate”, ka thënë Konjufca.


Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës duhet t’i bashkërendojnë të gjitha hapat në mënyrë që të mund të arrihet deri të një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik të kësaj gjykate.

“Ne si institucione do t’i bashkërendojmë të gjitha hapat kështu që të mund të vijmë deri të një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik të kësaj gjykate, kurrkund në botë nuk ka gjykata të cilat janë institucione absolute të mbyllura, hermetike, të cilat bëjnë çka të duan, gjithkund në botë gjykatat i nënshtrohen një procesi, mekanizmi të kontrollit sa i përket të gjitha çështjeve, sa i përket mbarëvajtjes së punës aty, procedurave, pretendimeve për ndonjë shkelje eventuale, e vetmja është kjo gjykatë unë nuk kam parë rast të tillë e cila është një gjykatë në kuptimin absolutisht e pavarur por në kuptimin negativ të fjalës e pavarur, është aq e pavarur sa që më thënë të drejtën nuk mu duk fare e Kosovës që ishte”, ka thënë kryetari i Kuvendit.

Ai ka shtuar se institucionet duhet të japin kontrib8tin e tyre në sensibilizim ndërkombëtar për padrejtësinë në Gjykatën Speciale dhe të flasin publikisht që kjo gjykatë është e njëanshme që prej krijimit të saj.

“Edhe ne duhet të jemi afër tyre dhe me vëmendje nga ky proces sepse mendoj që nëse ta zëmë, qoftëlarg, aktakuza konfirmohet dhe shtyhet deri në fund, atëherë mendoj që nuk është çështja e dënimit të individëve, mendoj që do të dëmtohet UÇK-ja dhe mendoj që dëmtohet vet bazat e mënyrës së shtet ndërtimit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Kreu i Kuvendit ka përmendur krimet dhe gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë dhe ka përsëritur se themelimi i një gjykatë të tillë është i padrejtë marrë parasysh të vërtetën historike në Kosovë.

Glauk Konjufca është zyrtari i parë i lartë shtetëror i cili është takuar me ish-krerët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata po përballen me akuza nën pretendimin për krime lufte dhe në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm./G.Kadrija

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.