Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, gjatë vizitës në Këshillin e Evropës (KiE) në Strasburg, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës sivjet do të ishte një simbolikë domethënëse me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, shënimi i së cilës do të bëhet nën Presidencën e Lihtenshtajnit.
Në ditën e dytë të vizitës, Konjufca dhe delegacioni i Kosovës kanë marrë pjesë në takime të rëndësishme me përfaqësues të KiE-së, të cilat kanë ofruar një platformë të vlefshme për të lobuar për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Konjufca dhe delegacioni i Kosovës përmendën të arriturat në reformën e drejtësisë, masat kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Ata theksuan rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar përfshirjen dhe barazinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, Konjufca zhvilloi një takim me Azadeh Rojhan, raportuese për Kosovën në Komisionin për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe Oleksiy Goncharenko, përfaqësues i Grupit të Konservatorëve Evropianë dhe Aleancës Demokratike, ku u shkëmbyen pikëpamje për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe u theksua përkushtimi institucional për progresin e mëtejshëm.
Kryetari Konjufca pati edhe një takim produktiv me delegacionin kombëtar të Italisë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në KiE.