Konfirmohet fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje me 58 mandate

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 14 shkurt ku është konfirmuar fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka arritur t’i sigurojë 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 19 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë tetë deputetë.

Ndërsa sa i përket komuniteteve jo shumicë, Lista Serbe do t’i ketë dhjetë ulëse, dy deputetë do t’i ketë Partia Demokratike Turke e Kosovës, dy të tjera Iniciativa Rome, ndërsa nga një ulëse në legjislaturën e re e kanë ftuar Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Goranem Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit e nxjerrin Vjosa Osmanin personin më të votuar. Ajo garoi në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe mori 300 mijë e 788 vota.

“Lëvizja Vetëvendosje ka marrë gjithsej 438 mijë 334 vota apo 49.95%, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 148 mijë e 296 vota apo 16.9%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 110 mijë e 978 vota apo 12.64%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 62 mijë e 111 vota apo 7.078%, Sprska Lista ka marrë 44 mijë e 444 vota apo 5.06%, Nisma Social Demokrate ka marrë 21 mijë e 998 vota apo 2.5%”, tha Daka.

Sipas rezultateve përfundimtare që u bënë të ditura nga KQZ, bartësi i listës së PDK-së, Enver Hoxhaj ka fituar 100 mijë e 518 vota, kryeministri në detyrë dhe bartësi i listës së LDK-së, Avdullah Hoti ka fituar 69 mijë e 640 vota, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj 41 e 406 vota.


“Ulëset të cilat i kanë marrë partitë në bazë të votave të cilat i kanë marrë: Lëvizja Vetëvendosje i ka gjithsej 58 ul2ëse, Partia Demokratike e Kosovës ka 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 15 ulëse, Sprska Lista ka 10 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 ulëse, Kosova Demokratik Turk Partisi 2 ulëse, Romani Iniciyativa 2 ulëse, Ujedinjena Zajednica Adriana Hdciz 1 ulëse, Koalicija Vakat 1 ulëse, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës 1 ulëse, Nova Demokrtska Stranka 1 ulëse, Jedinstvena Goranska Partija 1 ulëse dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim 1 ulëse”, tha Daka.

Pas Vjosa Osmanit me numër të votave ka dalë Glauk Konjufca i Vetëvendosjes me 200 mijë e 641 vota, ndërsa lideri i kësaj partie, Albin Kurti, nuk u lejua të përfshihet në garën për deputetë për shkak të një dënimi të formës së prerë.

Tani që KQZ shpalli rezultatet përfundimtare, partitë politike dhe kandidatët për deputetë mund të drejtojnë vërejtjet e tyre në Panelin Zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa, brenda afatit 24 orësh. PZAP ka kohë tri ditë për të marrë vendim rreth ankesave të mundshme. Në rast, se palët janë të pakënaqura me vendimet e PZA, atëherë mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme e cila edhe ajo ka tri ditë kohë për të kthyer përgjigje.

Certifikimi i rezultatit zgjedhor mund të bëhet pasi të përfundojnë afatet për ankesa, proces ky që i paraprinë konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në votim ka qenë 48.78%, e numri i votuesve që kanë marrë pjesë në votim, në qendra të vendvotimit, ka qenë 814 mijë e 122 votues, ndërsa i atyre që kanë votuar nga jashtë 89 mijë e 257.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë dalë 21 mijë e 532 fletëvotime të pavlefshme dhe kanë qenë 5 mijë e 511 fletëvotime të zbrazëta.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.