Mbyllja e xhepave rrugorë në stacionet e autobusëve në Prishtinë, funksioni kryesor i të cilëve është siguria e udhëtarëve, nga qytetarët dhe ekspertët e komunikacionit po konsiderohet si vendim jo i duhur i komunës.
Përpara këtij vendimi, autobusët dhe automjetet tjera ndaleshin tek xhepi rrugor, ku udhëtarët hipnin apo zbrisnin, ndërsa pas mbylljes së tyre me kocka, autobusëve e automjeteve iu duhet të ndalen në mes të rrugës.
Derisa qytetarët ankohen për këtë vendim të komunës, thonë se duhet të tërhiqet mbrapsht.
Isak Gërguri për KosovaPress thotë se me mbylljen e kësaj hapësire, udhëtarët rrezikohen dhe se po krijohet tollovi në komunikacion.
Njejtë mendon edhe Osman Krasniqi, derisa thotë se kjo gjë i pengon udhëtarët dhe krijon kolonë.
Po ashtu, edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti është kundër vendimit të komunës për heqjen e xhepave rrugor. Sipas tij, funksioni i tyre kryesor është siguria e qytetarëve që përdorin autobusin si mjet transporti.
Ndërkaq, lidhur me këtë, drejtori i Kadastrës në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku në një prononcim për KosovaPress, thotë se ideja për t’i mbyllur xhepat rrugor ka ardhur pasi është vlerësuar se ata po përdoren nga veturat e qytetarëve apo taksitë ilegale, duke mos u dhënë hapësirë autobusëve për ndalje.
Pavarësisht pohimit të tij se kjo mund të shkaktojë kolona në trafik, Lushaku thotë se pas analizës së bërë nga Komuna e Prishtinës, bashkë me taskforcën për komunikacion, është vendosur që pothuajse të gjithë xhepat rrugor të mbyllen.