Komuna e Vushtrrisë vazhdon investimet në fushën e kulturës

Ndërtimi i Qendrës së Kulturës dhe funksionalizimi i Muzeut të Qytetit, janë ndër investimet e fundit në fushën e kulturës që ka realizuar Komuna e Vushtrrisë. Mbi 1 milion euro ka kushtuar investimi në Qendrën e Kulturës, ndërkaq për Muzeun e Qytetit janë investuar mbi 130 mijë euro.

Qendra e Kulturës tashmë posedon sallën e teatrit, sallën e vallëzimit, bibliotekën për fëmijë dhe atë për të rritur, tri salla të leximit, galerinë si dhe atelienë e cila po shfrytëzohet nga fëmijët vushtrrias për të cilët po mbahet edhe një kurs i pikturës.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Arta Ismajli, thotë se investimi në Qendrën e Kulturës është ndër më të rëndësishmit për artin vushtrrias.

“Ky investim i Qendrës së Kulturës mendoj që është investimi më i mirë në Komunën e Vushtrrisë që ka ndodhur, këtu janë investuar mbi 1 milion euro. Një ndryshim i cili ka ndodhur që vërtetë ka qenë i mirëpritur edhe prej artistëve edhe në fakt e kanë merituar krejt këtë investim dhe këto kushte… Gjithashtu ka edhe sallën e teatrit, e cila është salla ndër të vetmet që nuk është prekur në këtë objekt, do të thotë ka mbetur salla e vjetër e teatrit që ka kapacitet prej 420 ulëseve, gjithashtu e ka një akustikë shumë të mirë dhe për këtë arsye nuk është prekur, ndërsa pjesa tjetër është komplet ndërtimi i ri”, thotë ajo.

Me përfundimin e ndërtimit të Qendrës së Kulturës, tashmë janë nën kontratë për herë të parë edhe pesë aktorë të qytetit të Vushtrrisë.

Një nga ta është Bujar Haxhaj, i cili ka luajtur në shumë shfaqje para publikut vushtrrias që nga paslufta. Ai shprehet se tash me investimet e fundit kanë kushte shumë më të favorshme për punë.


“Tash ka filluar një frymë e re, ka filluar një përkrahje më e madhe për kulturën në Vushtrri. Shihen edhe investimet që janë bërë, është një ndryshim drastik me atë që ka kaluar, në të vërtetë teatri ka qenë në një gjendje jo të mirë teknike, mirëpo tash kanë avancuar disa gjëra, janë rregulluar disa gjëra teknike, duke shtuar edhe anën tjetër mbështetjen financiare për pesë aktorët e Vushtrrisë”, thotë ai.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Vushtrrisë, Arta Ismajli, thotë se ka përfunduar inventarizimi i muzeut dhe se shumë shpejtë do të hapet për publikun. 

“Tek Muzeu i Qytetit është bërë një investim mbi 130 mijë euro, investim i cili është bërë brenda hapësirës së muzeut dhe gjithashtu në pjesën e jashtme. Pastaj me punëtorët e Drejtorisë së Kulturës të cilët janë tek muzeu po provojmë që sa më shpejtë t’i mbledhim të gjitha eksponatet dhe t’i sistemojmë nëpër vitrinat të cilat janë në Muzeun e Qytetit dhe të bëjmë të gjitha përgatitjet për hapjen për të gjithë qytetarët”, thotë Ismajli.

Udhëheqësja e Muzeut të Qytetit, Shukrane Begu, tregon se çka do të përmbajë muzeu dhe se çka tjetër mund të organizohet në kuadër të hapësirës së tij.

“Muzeu nuk do të shërbejë vetëm për ekspozita, i cili në katin përdhes do të shërbejnë kthinat për ekspozimin e eksponateve nga sektori i arkeologjisë, historisë, etnografisë, folklorit, teknologjisë së vjetër, të periudhës së luftës së fundit ku do të ekspozohen fotografi, gjësende të dëshmorëve, martirëve”, thotë ajo.

Në katin përdhes të Muzeut është vendosur që një kthinë të jetë në dispozicion për personat me aftësi të kufizuara, në të cilën do të mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme dhe të njëjtat do të ekspozohen po në atë vend.

Lexo edhe

Video