Komuna e Prishtinës mbyll sheshet dhe nxjerr vendime të reja për dyqanet ushqimore

Sheshet kryesore të Prishtinës nga sot nuk do të mund të përdorën si hapësira për shëtitje ose grumbullim të qytetarëve. Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e shëndetësisë kanë marrë masa të reja për të kufizuar lëvizjen nëpër sheshe, duke lënë të hapura vetëm disa korridore për qarkullim të domosdoshëm. Gjithashtu, Komuna e Prishtinës prej sot aplikon edhe disa masa të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.

Deri në një afat të pacaktuar sheshi “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza”, “Skënderbeu” e “Adem Jashari” në kryeqytet do të jenë të rrethuara me shirit dhe nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës.

Qytetarët nuk mund të grumbullohen më në këto sheshe e as të shëtisin në këto hapësira.

Krejt kjo po bëhet me qëllim që të shmangen grumbullimet e njerëzve si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, në një intervistë për KosovaPress, bën të ditur se masa të tilla janë ndërmarrë meqë qytetarët jo gjithmonë po i respektojnë thirrjet për mos dalje pa nevojë.

Sheshet janë mbyllur me vendim pasi Komuna e Prishtinës është marrë vesh me Policinë e Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Këtë e kemi bërë bashkërisht me qëllim që t’i minimizojmë lëvizjet nëpër sheshet e kryeqytetit, sidomos tash kur po përmirësohet edhe moti dhe siç po e shihni jo gjithmonë qytetarët i respektojnë thirrjet dhe rekomandimet tona. Hapësirat më të mëdha të shesheve janë rrethuar me shirit në mënyrë që mos të shfrytëzohen më si shëtitore por kanë mbetur disa korridore të lira në vende të caktuara, korridore këto të cilat janë të domosdoshme, qoftë për banorët rreth shesheve, qoftë për kalimtarët”, thotë Tahiri.

Tahiri sqaron se nuk ka orar për mbylljen e shesheve, meqë vendimi do të zbatohet deri në një rekomandim tjetër nga institucionet e shëndetësisë.


“Nuk ka orar për shkak se qëllimi është që mos të grumbullohen njerëzit dhe mos të dalin të shëtisin në sheshe, por t’i shfrytëzojnë vetëm ato korridore ku qarkullimin e kanë të domosdoshëm në atë pjesë, kjo do të zgjasë varësisht rekomandimeve që marrim nga ekspertët e shëndetësisë, qoftë nga Instituti Kombëtar, qoftë nga ministria përkatëse”, thotë ai.

Gjithashtu, Komuna e Prishtinës ka vendosur që prej nesër, mos të ofrojë shërbime për qytetarë nëse të njëjtit nuk janë të pajisur me maska dhe dorëza.

“Nga nesër nuk do të shërbehen qytetarët të cilët vijnë pa masa mbrojtëse, pa dorëza dhe maska nëpër objektet e komunës. Gjithashtu, në bashkëpunim me kryetarin si inspeksion komunal kemi nxjerrë edhe një vendim të cilin do ta shpërndajmë nëpër makete në mënyrë që ata t’i dezinfektojnë në mënyrë të vazhdueshme edhe karrocat dhe shportat të cilat i shfrytëzojnë qytetarët për bartje të ushqimit”, thotë Tahiri.

Komuna gjithashtu përmes një vendimi, ka obliguar gjithë dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore në Komunën e Prishtinës, që vazhdimisht gjatë ditës të dezinfektojnë të gjitha karrocat dhe shportat që shërbejnë për bartjen e produkteve ushqimore dhe të njëjtën duhet ta dëshmojnë me raporte përkatëse të kompanive të dezinfektimit .

Qeveria komunale në Prishtinë gjithashtu ka obliguar të gjithë dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore në këtë komunë që të caktojnë një person përgjegjës i cili do të merret me respektimin e distancës së klientëve gjatë blerjes së produkteve ushqimore.

Ndërsa bizneset të cilët veprojnë në kundërshtim me dispozitat e kësaj urdhërese do të gjobiten në bazë të legjislacionit në fuqi.

Adonis Tahiri thekson se qëllimi i tyre nuk është që të dëmtojnë financiarisht bizneset, mirëpo në rastet kur nuk respektohen urdhëresat e komunës, shqiptohen edhe gjoba, e që deri tani, gjatë pandemisë, është shqiptuar një gjobë.

Kosova ka hyrë në javën e katërt të përballjes me Covid19. Deri tani, janë infektuar 145 persona, ku 23 janë shëruar dhe tre të tjerë kanë vdekur.\

Lexo edhe

Video