Komuna e Mitrovicës garanton mbështetje për personat me aftësi të kufizuara

Nxënësit e Qendrës Burimore ‘Nëna Terezë’ në Mitrovicë, së bashku me nxënësit e shkollave mike të kësaj komune, kanë organizuar sot një program të pasur kulturo-artistik në shënim të 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Hajdar Shyti, drejtor i Qendrës Burimore “Nëna Terezë” në Mitrovicë, e cila merret me mësim këshillimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, tha se qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave të mirëqenies dhe ndërgjegjësimit të rrethit ku jetojmë.

Sipas tij, nuk është çudi se disa shtete kanë shkuar shumë përpara për shkak se pikërisht kësaj kategorie ju ka kushtuar shumë.

“Qëllimi i kësaj dite është promovimi I të drejtave të mirëqenies dhe ndërgjegjësimit të rrethit ku jetojmë[…]Asnjë shoqëri s’mundet me qenë në nivelin e zhvillimit dhe nuk mund të themi se është e zhvilluar, në qoftë se nuk I kushtohet kësaj kategorie, as në pikëpamje arsimore, të integrimit dhe as në pikëpamje sociale”, ka thënë Shyti.


Ai falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën, sidomos ish kryetarin dhe ambasadorin Avni Kastrati, për të cilin tha se është më meritori që ky objekt për këtë kategori sot ekziston.

Arian Tahiri, nënkryetar i komunës së Mitrovicës, ka garantuar mbështetje institucionale të vazhdueshme për këtë kategori.

“Ne si institucion i komunës së Mitrovicës çdo herë do të jemi pranë jush, afër jush dhe me juve. Zyret e komunës së Mitrovicës, kabinetit të kryetarit, çdo herë do të jenë të hapura për ju familjarë’, theksoi Tahiri.

Në anën tjetër, Afërdita Mikullovci, drejtoreshë e policisë për rajonin e Mitrovicës, u shpreh se 3 Dhjetori duhet të jep mesazh të qartë për të gjithë, për t’u avansuar, ndërgjegjësuar dhe vetëdijesuar.

“3 Dhjetori duhet të na jep një mesazh të qartë, të na tregoj se është një ditë e cila duhet të na jep mundësi neve dhe juve që të avancohemi, ndërgjegjësohemi dhe të vetëdijesohemi. Është një ditë e cila na tregon se sa ngjyra të jetës na jepni ju, sa buzëqeshje  dhe se sa kuptim ka jeta me juve. Falë juve, ne e shohim jetën dhe çdo ditë të saj, më të kompletuar, më të ndjeshëm, të vetëdijesuar dhe më të dashur”, u shpreh drejtoresha Mikullovci.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.