Kompanitë e transportit duhet të ofrojnë siguri për udhëtarët, thonë ekspertët e komunikacionit

Kompanitë e transportit duhet të ofrojnë siguri për udhëtarët, thonë ekspertët e komunikacionit

Me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, vendi këtë të hënë është në ditë zie shtetërore, pas aksidentit me autobus në Kroaci ku mbetën të vdekur 10 persona dhe mbi 40 u lënduan. Autobusi me targa të Kosovës kishte dalë nga rruga në autostradën afër Sllavonski Brod, mëngjesin e së dielës, me pasagjerë që ishin bashkatdhetarë të cilët po udhëtonin në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.

Pas këtij aksidenti, është arrestuar shoferi i autobusit nën dyshimin se i njëjti ka drejtuar automjetin në mënyrë jo të duhur. Autoritetet kroate kanë deklaruar se shoferi, gjatë dhënies së dëshmisë së tij, ka thënë se gjatë vozitjes ka rënën në gjumë për një moment.

Ekspertë të komunikacionit thonë se kompanitë e transportit duhet të organizojnë punën dhe oraret e shoferëve në mënyrë që të shmangen ngjarje të tilla.

Aksidenti duhet t’u shërbejë operatorëve të transportit për të rritur standardet e ofrimit të shërbimeve duke ofruar siguri më të madhe për udhëtarët, thotë eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi.

Ai thekson nevojën për respektim të kritereve për shoferët që transportojnë udhëtarë, duke përmendur pushimin jo më pak se 45 minuta pas 5 orësh vozitje.

Kompanitë e transportit duhet të organizojnë punën e shoferëve në atë mënyrë që t’i lejojë ata që të kalojnë të paktën një periudhë të rregullt pushimi javor brenda secilës periudhë prej 4 javësh radhazi. Drejtuesit e mjeteve duhet të jenë në gjendje të bëjnë pushimin e tyre 45-orësh në javë në një strehim të përshtatshëm miqësor duke bërë pushim dhe gjumë të rehatshëm në kushte akomodimi larg kabinës së automjetit, kostoja e së cilës duhet të plotësohet nga kompania e transportit si punëdhënës. Sikurse çdo herë edhe kësaj radhe vdekja dhe lëndimi i qytetarëve tanë duhet të ju shërbejë operatorëve të transportit për të rritur standardet e ofrimit të shërbimeve duke ofruar siguri më të madhe të udhëtimit për të gjithë”, ka thënë Krasniqi për KosovaPress.


Krasniqi thotë se duhet të plotësohen këto kritere: ngarkesa maksimale e punës të shoferëve të autobusëve, rrjedhimisht koha e ngasjes ditore prej 9 orësh, mund të zgjatet në 10 orë por jo më shumë se dy herë në javë; ngarkesa maksimale e kohës së ngasjes javore është 56 orë; pas ngasjes për një periudhë prej 4.5 orësh, një shofer duhet të bëjë një pushim të pandërprerë jo më pak se 45 minuta; një pushim minimal ditor prej 11 orësh, i cili mund të reduktohet në 9 orë, por jo më shumë se tre herë midis çdo 2 periudha pushimi javorë; një periudhë të rregullt pushimi javor me minimum 45 orë dhe një periudhë të zvogëluar të pushimit javor prej minimumi 24 orë.

Ndërsa, Unioni i Turizmit ka kwrkuar prej kohesh standardizimin e sektorit e sidomos tek pjesa e Agresioneve turistike ku bëjnë pjesë edhe agjensionet transportuese.

Kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti thotë se nevojitet që të ketë inxhinierë të komunikacionit në sektorin e transportit.

Te sektori i transportit, të ketë inxhinier të komunikacionit që e menaxhon atë sektor, dhe njëkohësisht duhet të kemi kujdes për shkak se lodhja, siç është cekur edhe në raportin e ekspertit kroat, lodhja mund ta bëjë të vetën, dhe janë edhe shumë faktor të tjerë që ne duhet të punojmë shumë si institucione, si ministri, që qoftë me ligje, qoftë me rregullore të ndryshme t’i standardizojmë dhe t’i rregullojmë këto çështje njëkohësisht edhe pjesa e policisë dhe inspektoratit të jenë shumë rigoroz, sidomos në pjesën e transportit ku kemi të bëjmë me transportin e 50,60 ose siç ishin 69 pasagjerë në atë autobus”, thotë Hoti për KosovaPress.

Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i pyetur rreth mbikëqyrjes së kompanive që transportojnë udhëtarët, i tha KosovaPress-it të kontaktojë Departamentin e Infrastrukturës Rrugore, por të njëjtit thanë se për këtë duhet të pyetet Inspektorati. E këta të fundit nuk ishin të qasshëm.

Të lënduarit në aksidentin e djeshëm po marrin trajtim mjekësor në shtetin kroat, derisa shoferi i autobusit është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit atje, dhe pritet që nesër përsëri të dalë para prokurorisë ku do të vendoset për paraburgim./KosovaPress

Lexo edhe

Video