Kompania në shërbimet e outsourcing “SPEEEX” hap objektin e saj të ri

Kompania e specializuar në shërbimet e outsourcing “SPEEEX”, ka hapur sot objektin e ri.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë të ftuar, mes tyre edhe përfaqësues të kësaj kompanie nga vendet e ndryshme të botës.

Kryeshefi ekzekutiv i SPEEEX, Fikret Murati theksoi se rinia e Kosovës ka kapacitete t’i tregojë Evropës potencialin ekzistues.

“Unë nuk e shoh veten si pronar të SPEEEX-it, por e shoh veten si koleg i juaj, si bashkëpunëtor me ju, po e shoh veten si pjesë elementare të SPEEEX… Unë mendoj që e kemi kohën e artë, rinia jonë është e artë, jemi inteligjentë, kemi kapacitete t’i tregojmë Evropës të mos them gjithë botës se çfarë potenciali ne shqiptarët kemi”, tha ai.

Përfaqësuesja e SPEEEX, Francoise Clemens u shpreh jashtëzakonisht e lumtur me arritjen e kësaj kompanie, e cila synon të promovojë zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Kemi filluar me 35 njerëz, vetëm dy ekipe… Në tërë botën Kosova ka pasur rezultatet më të mira prej gjithë Kosovës, në kuptimin e një numri të diamanteve, ne po punojmë shumë në këtë drejtim. Mirëpo jemi rrit edhe njëherë, sepse kemi besuar te ju dhe e kemi ditur se do t’ia dalim”, tha ajo.

Kryeministri Albin Kurti, në pamundësi të ishte prezent në ceremoni, përmes një video-mesazhi, ka thënë se fuqia e re punëtore e motivuar dhe e talentuar, ka shndërruar Kosovën në një pozitë tejet atraktive për industrinë.

“Kombinimi i kostos më të ulët efektive me nivelin e njëjtë të cilësisë, përparësia krahasuese që ka Kosova në sektorin të cilin e ka SPEEEX dhe që ne e quajmë proces kontraktimi i bizneseve të mundësuar nga teknologjia e informacionit. Fuqia e re punëtore e motivuar dhe e talentuar, demokracia, sundimi i ligjit stabiliteti institucional, shpenzimet e ulëta dhe pozita të mira gjeografike tashme e kanë kthyer Kosovën në pozitën shumë atraktiv për industrinë. Gjatë vizitës time në SHBA, vizitova disa brende të njohura. Sfidë numër një e tyre ishte fuqia punëtore. Kosova ka popullatën ndër më të rejat në Evropë… Besoj se jemi në rrugën e duhur për t’u bërë Estonia e ardhshme e Evropës sonë”, tha Kurti.


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë për të mbështetur në vazhdimësi nismat e të rinjve në fushën e inovacionit e ndërmarrësisë.

“Ju keni shumë entuziazëm dhe energji pozitive duke e bërë SPEEEX një  sukses ndërkombëtar dhe duke i dhënë një imazh shumë të mira republikës sonë. Republika e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshme sa i përket rinisë e cila ka shumë ide kreative dhe shumë inovacion. Qeveria Kurti është e gatshme gjithmonë që t’i mbështesë iniciativat e të rinjve në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë sepse vendi ynë duhet të ofrojë një stabilitet për të rinjtë tanë, për popullin tonë… Po punojmë me shumë përkushtim për lehtësimin e kushteve e të bërit biznes. Është e rëndësishme që Kosova të shfrytëzojë potencialet e saj me sa më shumë efikasitet dhe sa më shumë mundësi t’i ofrojmë biznesit në vendin tonë”, u shpreh ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se me punën e saj të palodhshme  kompania SPEEEX është e vendosur sot në të gjitha hartat botërore.

“S’ka ndjenjë më të keqe kur dikush nuk e di vendin nga je… E sot ne Prishtinë, në Kosovë me njerëz si Fikreti, po e shohim një numër të madh të rinisë këtu që ia kanë prurë Prishtinës një energji fantastike, fenomenale dhe e kanë vënë SPEEEX në hartën e botës… Kjo është Prishtinë, kjo është Kosova që ne e meritojmë, që rinia jonë e meriton, qe ne mundemi ta realizojmë. Vetëm duhet besuar që mundemi, kemi njerëz që besojnë, e kemi Fikretin që beson… Së bashku mundemi, së bashku Kosova do të shkëlqejë me ju”, tha Rama.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Prishtinë Thomas Kolly u shpreh i lumtur që sheh një energji të madhe pozitive te rinia kosovare.

“Fikreti është personaliteti më i njohur i Zvicrës këtu në Kosovë… Është e mahnitshme të shihen këto dy sisteme të vlerave që keni pjesën e zhvillimit, rininë, fleksibilitetin. Ju ofroni vlerat më të mira. Ajo çfarë më ka lënë përshtypje dhe më mahnitur pozitivisht është energjia e Fikretit që po investoni në trajnimin e njerëzve tuaj”, tha ai.

SPEEEX LLC është e rankuar si një ndër kompanitë e mëdha globale në ofrimin e shërbimeve outsource ndaj klientëve, e cila ka të punësuar më shumë se 650 persona në qytetin e Prishtinës.

Që nga themelimi i saj në vitin 2008, SPEEEX ka arritur të krijojë hapësira dhe kushte të punës në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare duke iu mundësuar shumë të rinjve kosovarë të zhvillojnë një karrierë të bujshme me perspektivë afatgjate. Po ashtu, SPEEEX kryeson si një ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë.

Lexo edhe

Video