Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Prokurorinë Speciale emërimet e reja në krye të Komisionit hetimor për tekstet shkollore, pas zëvendësimeve të kryetarit dhe zëvendës-kryetarit të këtij komisioni nga radhët e opozitës.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se në panikun e gjetjeve të deritanishme në Komisionin hetimor parlamentar për hetimin e “aferës së keqpërdorimit të miliona eurove në emër të subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore”, deputetët e shumicës, anëtarë të këtij komisioni kanë vendosur që ta minojnë dhe bllokojnë hetimin përfundimtar të kësaj afere, duke u mbledhur sot në mënyrë të paligjshme, duke zëvendësuar kryetarin dhe zëvendës-kryetarin e këtij komisioni nga radhët e opozitës, të cilët i ka zgjedhur Kuvendi.
Ai ka theksuar se në bazë të nenit 10 të ligjit në fuqi për Hetimin Parlamentar, kryetari dhe zëvendës-kryetari i Komisionit hetimor i takon opozitës, andaj edhe Kuvendi në seancë plenare ka vendosur për përbërjen e tij me rastin e themelimit të Komisionit.
“Për këtë vendim të paligjshëm e të turpshëm, do të kërkojmë sqarime edhe nga kryetari i Kuvendit, para se t’i drejtohemi Prokurorisë Speciale për të hetuar këtë aferë korruptive, që ka për kryeprotagoniste ministren e Arsimit Arbërie Nagavci”, ka përfunduar Tahiri.