Komisioni për Legjislacion miratoi në parim Projektligjin për Byronë shtetërore, opozita e konsideron anti-kushtetues

Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Opozita e ka konsideruar anti-kushtetues duke deklaruar se ekzekutivi nuk ka interes për tu miratuar ky projektligj. Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë.

Në Komisionin për Legjislacion ajo u shpreh se Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës.

“Ky projektligj ka për qëllim se në rastet kur Byroja vlerëson, qoftë sipas detyrës zyrtare, qoftë përmes informacioneve që merr nga institucione të tjera, që dikush ka pasuri e cila është e pajustifikueshme kërkon nga ai zyrtar, që ta justifikojë pasurinë e tij para Byrosë dhe këtij projektligji i ka paraprirë një analizë e detajuar përmes koncept-dokumentit. Nga vlerësimi përmes koncept-dokumentit është vlerësuar që është me interes shoqëror që sistemit juridik t’i shtohet edhe byroja shtetërore. Në rastet kur ajo pasuri nuk mund të justifikohet atëherë i propozon gjykatës konfiskim të asaj pasurie. Një nga debatet e shumta që është bërë në këtë drejtim ka qenë që do t’i lihet byrosë për ta konfiskuar pasurinë, por kjo nuk qëndron. Sepse përgjegjëinë për konfiskimin e pasurisë e ka gjykata, në departamentin pranë Gjykatës  Themelore në Prishtinë”, tha ajo.

Sipas saj, drejtori i Byrosë do të zgjidhet nga Komisioni për Legjislacion dhe nuk ndërlidhet me ekzekutiv.

Ndonëse nuk u pajtua me përmbajtjen e projektligjit, anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj tha se e përkrahin atë.

Sipas tij, me këtë projektligj do të lejohet që të ketë ndikim nga politika në institucionin e byrosë.

Ai ka sugjeruar që ky institucion të jetë organ kolegial dhe ai ka shprehur frikën se mund të abuzohet me këtë pozitë, për çka mori përgjigje nga ministrja Haxhiu.

“Ky institucion nuk ka kompetencë hetuese por verifikuese. Edhe drejtori nuk besoj që do të mund të keqpërdor detyrën për faktin se në qoftë se sipas raportimeve të institucioneve tjera apo personave fizik vlerësohet që ka dyshime që ajo pasuri nuk mund të justifikohet, atëherë menjëherë e bën përgjegjës një zyrtar për ta adresuar verifikimin e asaj pasurie. Mirëpo adresimi që e bërë në raport me organin kolegjial, nuk është që nuk e kemi adresuar”, ka shtuar ajo.

Haxhiu u shpreh e gatshme që të punojnë të gjithë në këtë projektligj, por deklaroi se nuk mund të heq frikën e askujt.


“Përmendet frika në zbatimin e këtij ligji. Unë si ministre e Drejtësisë, frikën nuk mund t’ia heq askujt. Edhe me bazën aktuale penale kemi raste të shumta kur ligji mund të keqpërdoret. Kemi pasur raste të shumta kur janë ngritur aktakuza pas disa viteve ndoshta personi është shpallur i pafajshëm, apo një parti politike ka pasur tendenca që të mbyllet”, ka deklaruar ajo.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha tha se personat që e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duhet që të frikësohen nga ky projektligj.

Ndërkaq, anëtari tjetër opozitar, Hajdar Beqa tha se i njëjti është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Unë konsideroj që struktura e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën. Dhe jam shumë optimist që nëse e pyesim sot ministren, se tha se nëse drejtori zgjidhet me 61 vota nëse e dërgon dikush në kushtetuese, unë konsideroj që nëse dikush e dërgon këtë ligj në tërësi në Gjykatë Kushtetuese, kjo bie në kundërshtim të plotë dhe nuk hyn kurrë në funksion si e tillë në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Besoj, jam shumë optimist, që edhe ministrja e di këtë. Unë më shumë e shoh si mos me pas interes me hy në fuqi ky ligj apo të bëjë popullizmi që e kanë si praktikë partia që e përfaqëson ministrja”, deklaroi Beqa.

Në këtë drejtim, ministrja Haxhiu deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që projektligji të bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Beqa ka kërkuar që të ketë dëgjim publik para se projektligji të dërgohet në Kuvend për miratim, por që me një gjë të tillë nuk janë pajtuar anëtarët e këtij komisioni nga pozita. Për këtë anëtarët  e Partisë Demokratike të Kosovës kanë abstenuar në votimin e këtij projektligji, ndërkaq me shtatë vota të tjera pro është miratuar në parim.

Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, opozita ka kritikuar edhe afatin prej shtatë ditësh për diskutim publik, por që ministrja Haxhiu theksoi se shoqëria civile ka qenë e përfshirë qysh nga fillimi në grupet punuese.

Me nëntë vota për, është miratuar edhe projektligji për deklarimin, prejardhjen, kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Komisioni për Legjislacion ka shpallur konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Lexo edhe

Video