Komisioni miraton projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019

Komisioni miraton projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019

Komisioni për Integrime Evropiane, ka miratuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2020-2024.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, që para deputetëve të këtij komisioni ka prezantuar këtë program, tha se ai është në harmoni me planin e punës së Qeverisë, përfshirë programin legjislativ të Qeverisë për këtë vit.

Selmanaj është shprehur i bindur se do të arrijnë që gjatë këtij viti t’i realizojnë të gjitha obligimet e tyre.

“Programi përmban gjithsej 206 masa, prej tyre 114 janë masa të karakterit legjislativ, nuk do të thotë që të gjitha këto janë ligje, nga këto 32 janë projektligje, po pjesa tjetër janë udhëzime administrative dhe akte të tjera nënligjore, si dhe 92 masa tjera zbatuese. Në kuadër të programit janë të përfshira 32 projektligje të cilët duhet të miratohen normalisht nga Kuvendi. Kostoja totale e zbatimit të këtij programi për këtë vit është vlerësuar të jetë 11 milionë e 995 mijë e 794 euro, nga të cilat 8 milionë e 183 mijë e 154 euro janë nga buxheti shtetëror dhe 3 milionë e 812 mijë e 640 euro nga mbështetja e donatorëve BE dhe donatorët dypalësh, ky material nuk ka vakum buxhetor, është i pasqyruar edhe në kornizën afatmesme të shpenzimeve”, tha ai.

Selmanaj ka folur edhe për rëndësinë e zbatimit të programit gjatë këtij viti në ndërlidhje me programin IPA 2 për përkrahje buxhetore për reformën në administratën publike, ku tha se kanë paraparë zbatimin prej 80 përqind të programit gjatë këtij viti.

Selamaj tha se ky është viti i tretë dhe i fundit për të përmbushur këtë obligim nga i cili në buxhetin e shtetit do të përfitojnë 0.4 milionë euro.

Deputetët anëtarë të këtij komisioni kanë kritikuar Qeverinë për shuarjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, derisa kanë kërkuar të dinë se a është bërë agjenci apo zyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selamanaj, tha se ka qenë vendim politik që Ministria e Integrimeve Evropiane të shuhet, ndërsa bëri të ditur se tashmë do të funksionojë si zyre në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Këtë zyre ta lëmë krejtësisht në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të jetë zyre për integrime në Bashkim Evropian e që do të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe nuk është kjo degradim i kësaj, përkundrazi është vlerësim më i madh që i bëhet këtij procesi. Unë besoj që nuk ka vlerësim më të lartë sesa Zyra e Kryeministrit dhe vet kryeministri të merret me një proces të rëndësishëm të integrimit”, tha ai.

Ai tha se tashmë janë në finalizim të rregullores së punës së kësaj Zyre dhe brenda ditëve do ta votojnë në Qeveri.

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu, ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj procesit integrues, ndërsa ka pyetur Selmanaj se pse nuk ka qenë në një takim që është mbajtur në Holandë.

“Shqetësimi im pse ju nuk keni qenë në Holandë e keni qenë në Uashington, nëse brenda Qeverisë Hoti ju udhëheqni procesin integrues dhe synoni që këtë proces ta përmbyllni me këtë zyre, pse duhet të jeni në Uashington dhe të mos jeni në Holandë në vendet për të cilat specifikisht ne kemi nevojë që të kemi përgjigje sot. Pse është dashur që Qeveria Hoti të shkojë atje me një grup zëvendëskryeministrash dhe me një delegacion prej më shumë se 10 vetave dhe të mos jetë në Holandë aty ku ne kemi nevojë të kemi përgjigje për këtë proces”, tha ajo.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, u përgjigj duke thënë se në Holandë ka qenë ministrja e Punëve të Jashtme.


“Unë kam qenë në tri katër vizita në Bruksel bashkë me kryeministrin dhe i kemi diskutuar krejt këto  cështje, pse unë nuk kam shkuar në Holandë duhet ta shihni kështu, qeveria është një dhe është krejtëisht integrale me njëra tjetrën, nuk e shoh të arsyeshme që edhe unë edhe ministrja e Punëve të Jashtme të shkojmë bashkë për të njëjtën tematikë. Mund të shkojë me kryeministrin kur e vlerëson se mund të jem pjesë e ekipit të tij, por të shkojmë dy tre ministra të Kosovës për një çështje”, tha ai.

Selmanaj i është përgjigjur edhe sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

“Angazhimi jonë deri sot është që ne në javën e parë ose të dytë të tetorit kur do të draftohet agjenda për mbledhjen e dhjetorit që do ta kenë në presidencën e Gjermanisë të hyjë në rend të ditës çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është angazhimi jonë aktual dhe nëse arrijmë që Kosovën ta fusim në rend të ditës që në mbledhjen e dhjetorit trajtohet kjo çështje jemi optimist më pas që epilogu mund të jetë pozitiv. Angazhimi jonë në këtë fazë është që çështja e vizave të hyjë në agjendë”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, ka kërkuar të dijë se a ka përplasje mes tij dhe zëvendëskryeministrit nga radhët e AAK-së Besnik Tahiri, se cili të udhëheq me zyrën për integrime evropiane.

“Tre muaj ditë nuk është personi përgjegjës i zyrës, kush e udhëheq zyrën. Nëse nuk e keni vendosur akoma tregona se ne menduam që ti je, për këtë arsye edhe deputetja po ta bënë pyetjen pse nuk ke shkuar në Holandë, nëse je përfaqësues për këtë proces nëse jo trego nuk jam personi kam ardhur veç sot në mbledhje dhe u krye, ta dimë që nuk as personi nuk është caktuar ende për zyrën  ose tregona a ka garë mes juve dhe AAK-së, a po shtyheni ti dhe Besnik Tahiri se cili me udhëheq, ta dimë a është personale kjo. Sa i përket vizitës në Amerikë më fal po ti nuk ke pas çka me lyp, kanë shkuar 8 dhe po dua konkretisht me më tregua cilët janë mekanizmat që na siguron se LDK nuk dështon qysh ka dështuar”, tha ajo.

Në përgjigjen e tij, zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, tha se ai është personi përgjegjës në aspektin politik për zyrën e integrimeve evropiane në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Kryeministri më ka autorizuar mua që unë të vijë dhe të përgjigjem për çështjen për të cilën, po nuk kemi më ministër të Integrimeve e nderuara deputete. Personi përgjegjës në aspektin politik kam me qenë unë sa herë ju duhem, në aspektin teknik organizativ janë drejtorët e departamenteve, janë strukturat. Ju thash pakëz më herët, rregulloren sot, nesër e përfundojmë e njëjta përcakton të gjitha detajet”, tha ai.

Deputetja Pacolli më tej ka vazhduar të insistojë që të dijë se cilat janë mekanizmat e Qeverisë për zbatimin e MSA-së dhe ka kërkuan një zotim se do të arrijnë të realizojnë planin për këtë vit.

Në përgjigjen e tij Selmanaj është zotuar se do ta zbatojnë këtë plan në përpikëri.

“Kjo Qeveri, po e shpreh në emër të qeverisë zotimin e plotë që jo vetëm këtë program, po krejt programin qeverisës kemi me e zbatua në përpikëri. Ky është zotimi jonë, ky është angazhimi jonë”, tha ai.

Në këtë mbledhje komisioni ka votuar edhe, Pjesa e dytë, Objektivi I, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ka bërë arsyetimin e këtij projektligji, duke thënë se nga kjo marrëveshje Kosova përfiton 6 milionë euro.

“Me këtë projektligj ne ratifikojmë marrëveshjen financiare nga BE e cila mundëson që Kosova të përfitojë 6 milionë euro në formë projektesh nga BE, ndërsa 1 milionë euro jepen si bashkëfinancim nga Kosova. Qeveria e Kosovës do të sigurojë bashkëfincimin për skemën e profesionistëve të rinj për dy ruande me radhë me nga 500 mijë euro të cilat bashkë me 3 milionë euro, 1.5 milionë euro për raund. Nga BE do të financojnë afër 100 bursa për të rinjtë kosovar të cilët do të kryejnë studime postdiplomike në vendet e BE-së. Ndërsa pjesa tjetër prej 3 milionë eurove nga BE është shuma e paalokuar e cila do të përdoret sipas kërkesave të qeverisë ndaj BE-së për projekte të cilat mund të mobilizohen shpejtë dhe veçanërisht duke pasur parasysh nevojat e dala nga efektet e pandemisë COVID-19”, tha ai.

Selmanaj tha se shumë shpejt do të dërgojnë në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për programin IPA 2020, e cila tha se në tërësinë e saj përfshinë mbi 90 milionë euro nga BE.

Lexo edhe

Video

error: