Komisioni miraton kërkesën për ndarjen e 2.8 milionë euro për RTK-në, kritikon opozita

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar sot me shumicë votash kërkesën për ndarjen e 2.8 milionë euro për Radiotelevizionin e Kosovës(RTK), pas shqyrtimit të kërkesës për ndarje buxhetore për periudhën tetor-dhjetor 2021.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se kërkesa e RTK nuk është legjitime, pasi që siç tha ai nuk ka ardhur kjo kërkesë nga Bordi i këtij mediumi.

“Ne sot as nuk mund ta diskutojmë këtë raport fare, sepse RTK-ja nuk ka bord dhe nuk ka vendim të bordit që i sjell kuvendit ose këtij Komisioni propozimin për buxhetin për tre muajt e ardhshëm. Pra, nuk kemi sot bazë ligjore me miratuar këtë kërkesë të tyre, sepse nuk ka ardhur nga Bordi. Ne nuk pranojmë kërkesa nga drejtori, është kështu sipas ligjit. Sepse bordi e përfaqëson RTK-në këtu, por ju (kryetar Muja) duhet me qenë konsistent, sepse një herë nuk e keni pranuar, tash po bisedojmë dhe shqyrtojmë kërkesën e tyre. Unë jam që këta mos me mbetur pa buxhet, por nëse doni me qenë plotësisht formal dhe në përputhje me ligjin, ne sot nuk mund ta shqyrtojmë fare kërkesën e tyre dhe krejt kjo është e pa bazuar në ligj”, tha ai.

Ndaj deputetit Hoti, ka reaguar kryetari i Komisionit, Armend Muja, i cili tha se praktika të tilla kanë ndodhur edhe në qeverisjen e LDK-së. Ai u shpreh se devijim të ligjit për RTK-në ka pasur edhe gjatë kohës kur Avdullah Hoti ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Devijim nga standardi ligjor ka pasur edhe atëherë. Nuk i takon Ministrisë së Financave me alokuar mjete pa vendimin e këtij Komisioni në bazë të ligjit për ndarjet buxhetore. Mirëpo, në situatën që ka ardhur RTK-ja, ne po dëshirojmë me gjetur zgjidhje për punëtorët që punojnë aty derisa të zgjidhet Bordi i RTK-së”, tha Muja.

Derisa, deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ani se nuk ishte kundër ndarjes së mjeteve, kërkoi nga RTK-ja që t’i ulin shpenzimet, dhe ta mbyllin një herë e përgjithmonë çështjen e borxheve, që sipas tij, kjo është bërë histori.

“Ne u pajtuam të diskutojmë dhe ta aprovojmë projektin buxhetor për tremujorin e fundit. Sa i përket projeksioneve buxhetore për 2021 mendoj se është bërë histori në veti borxhi i RTK-së ndër vite… Ka ardhur koha e fundit që ne t’i shlyejmë ato borxhe dhe të kursejnë pak, sepse 2.8 milionë euro ku shkojnë 2.5 milionë në paga dhe mëditje, çka mbetet aty me 300 mijë euro?”, deklaroi Lekaj.


Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka kërkuar shpjegime nga drejtori i përgjithshëm i mediumit publik Ngadhnjim Kastrati, për planifikimin e shpenzimeve për ndarjen buxhetore në vlerë 2.8 milionë euro.

“Me sa e kuptoj unë, kërkesa është për 2.8 milionë euro për tre muajt në vazhdim. A mund të na tregoni në përqindje se si do të shpenzohen ato mjete dhe a parashikoni që edhe këtu të keni kursime siç po thoni sipas trendit dhe për çka do të dedikohen ato”, tha Muja. 

Drejtori i RTK-së, Kastrati duke treguar për 300 mijë euro kursime në sektor të ndryshëm në periudhën e fundit, theksoi se nga 2.8 milionë euro, 2.5 milionë do të shpenzohen për paga dhe kontribute.

“Nga 2.8 milionë euro, rreth 2.1 milionë euro do të jenë për paga dhe kontributet pastaj janë rreth 400 mijë euro, pra janë rreth 2.5 milionë euro që shkojnë vetëm në paga dhe kontribute për tre muajt e ardhshëm. Pjesa tjetër që planifikojmë, që është rreth gjysmë milioni janë për shpenzime komunale, rrymë, karburantet. Nuk kemi planifikuar ndonjë investim të madh që kemi, mirëpo mjetet rreth 300 mijë euro do të paguhen dhe në tre mujorin e ardhshëm obligime nga vitet paraprake… Në kuadër të investimeve kapitale do të jenë në RTK 2, investime rreth 50 mijë euro për pajiset transmetimit”, theksoi ai.

Sa i përket kursimeve, Kastrati ka thënë se në kategorinë për mallra dhe shërbime ka pasur kursime, te kategoria e udhëtimeve, në kategorinë e karburanteve dhe veturave si dhe për materialet shpenzuese.

Ndryshe, RTK-së për vitin 2021 i janë ndarë 11 milionë e 200 mijë euro, ndërsa para secilit tremujor, RTK-ja dorëzon në Komision për Buxhet programin e shpenzimeve të planifikuara si dhe në fund të çdo tremujori RTK do të dorëzojë në kuvend raportin me shpenzime.

Derisa ky Komision me kërkesë të drejtuesve të RTK-së ka shtyrë shqyrtimin e raportit Financiar të RTK-së për periudhën korrik-shtator 2021 deri në javën e parë të muajit tetor.

Komisioni për Buxhet sot nuk ka miratuar raportin financiar të AKP-së, ndërsa ka miratuar me shumicë votash raportin financiar vjetor të Avokatit të Popullit.

Lexo edhe

Video

error: